Të moshuarit, adoleshentët dhe familjet në turizmin e Sarandës

Nga Alba Malltezi

I moshuari me biçikletën e tij të vjetër, çdo perëndim, zbret kodrën përmes rrugës së paasfaltuar për të marrë detyrën e tij sezonale: është roje gjatë natës në plazhin e bukur të Pulëbardhës, në një nga gjiret mbresëlënëse të Sarandës. Një tjetër pensionist, na ka ndihmuar gjatë ditës për të parkuar makinën. Çalon nga një këmbë, por nuk përton të vrapojë nga një makinë në tjetrën për t’i ndihmuar të gjithë të gjejnë vendin e duhur. Edhe në banjot akull të pastra të Gjirit të Hartës, një e moshuar nuk ngurron të këshillojë këdo se si merret letra për të tharë duart, vetëm duke shtypur një shul të vogël: “Ja kështu, shumë kollaj!” Dhe pastaj ulet në hijen e eukalipteve për të qenë e gatshme për çdo pastrim e shërbim të radhës. Pastaj janë përsëri ata: gra e burra të moshuar, e herë disa fëmijë/adoleshentë që mbajnë tabelat e shkruara me dorë: Apartamente me qira! Në krah të rrugës së ngushtë kryesore. Një djalosh shumë i sjellshëm mbledh me letër kaushët (i kujdesshëm të mos i prekë me duart e tij) dhe i mbush me shijen që i kërkojnë. Jo larg tij, një burrë flokëbardhë rendit menunë në gjuhë të huaj i veshur me rroba popullore edhe pse pisk i vapës, të fton t’i shijosh në restorantin ku punon.

Nëpër piceri, bare, ristorante, janë shumë të rinj, krah kamarierëve me shumë përvojë tashmë. Ecin me duart që iu dridhen pak, por nxitojnë, vrapojnë, shërbejnë si mos më mirë. Së bashku: Të moshuar e të rinj, i kanë dhënë një pamje familjare, më të qetë dhe më të sigurtë gjithçkaje. Sikur mbushin me qetësinë, brishtësinë, butësinë e tyre dhe dëshirën për të punuar, hapësirat që përpiqen të jenë herë luksoze, herë harmonike, herë informale, e herë të improvizuara.

Pastaj janë familjet: këtë vit më shumë se çdo vit tjetër: Të gjithë në punë. Në apartamentet e shumta që jepen me qira nuk përtojnë të shërbejnë nënat me vajzat, baballarët e djemtë. Restorantet dhe bizneset më të suksesshme mbeten ato ku e gjitha familja ngrihet në këmbë e shërben nga mëngjesi në mbrëmje. Tre ishujt, Pulëbardha e dibranëve punëtorë, Gjiri i Hartës, apo që nga byrektoret, ushqimet tradicionale, pite arabe e sufllaqe, edhe këtë vit Saranda nuk zhgënjen. “Jam prej dy javësh në Sarandë dhe asgjëkundi nuk kemi ngrënë keq”, thonë Mario dhe Enxhi që vijnë këtu për herë të parë nga Kanadaja e largët. Çifti italian te Mattarello ua ka marrë zemrën, por edhe Manxurana, Haxhi e të tjera ristorante të vogla familjare që kanë “përshtypje” shumë të mira nga të huajt on line. Po mendojnë të blejnë dhe shtëpi, për ta shfrytëzuar për vetë por edhe si biznes për turizëm. Janë në kërkim.

Shëtitorja e re buzë detit me gjatësinë e saj, parkingjet e anijeve të shëtitjeve, shkallët mbi det për të parë perëndimin apo yjet, është shumë demokratike: ka vend për të gjithë, lypës të mëdhenj e të vegjël, pushues të pasur e të varfër, biznese e peshkatarë. Në Liman, që në dritën e parë të mëngjesit, sarandiotë e pushues presin rrjetat e para me peshkun e kapur gjatë natës. Edhe këtu: peshkun më të shtrenjtë e marrin ata që kanë para, e pensionistët janë mësuar të marrin më të voglin. “E skuq dhe nuk i ndjehen halat!”, thotë e lumtur një e moshuar me qesen dhe peshqin e vegjël brenda saj.

Saranda ndryshon dita-ditës, kushedi “ç’mendojnë” Korfuzi hijerëndë e i pandryshueshëm përballë dhe pema e piperit që Naim Frashëri e kë sjellë e mbjellë në këtë anë. Të moshuarit, të rinjtë e familjet i sjellshin qetësinë, rregullin dhe pasurinë që ky qytet dhe banorët e tij meritojnë.