Sarandë, në 65- vjetorin e organizatës së veteranëve të LANÇ
Pak ditë më parë veteranë e pasardhës të tyre në Sarandë, përkujtuan dhe nderuan rrugën 65-vieçare të organizatës së veteranëve të LANÇ, krijuar më 1957.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast nga Neriman Gjivogli, Kryetare e Komitetit të Veteranëve në Sarandë, u përvijua rruga dhe veprimtaria e kësaj organizate, që në misionin e saj ka ruajtjen dhe transmetimin në breza të ndjenjave të patriotizmit dhe atdhedashurisë.
Ajo u shpreh me nderim për këto që ka aderuar e aderon në këtë organizatë, me bindjen se vlerat dhe trashëgima e kohës së luftës për çlirim, për rindërtimin dhe ndërtimin e vendit, as vjetërohen e as tjetërsohen.
U kujtuan e u nderuan të gjithë ata që ndër vite kanë drejtuar degën lokale të organizatës së veteranëve të LANÇ në Sarandë.
Duke uruar për këtë jubile të 65-vjetorit të organizatës së Veteranëve të LANÇ, Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma tha se: “Tek puna shumë e vëmendshme që bëni me kategorinë e të rinjve apo pasardhësve të veteranëve, ju i bëni shoqërisë një shërbim shumë të çmuar, sepse mbani gjallë dhe siguroni vazhdimësinë e kësaj fryme dhe të vlerave më të mira, që ju i kini vetë, por nuk i mbani për vete.”.
Ilirjan Haxhi, në cilësinë e sekretarit të organizatës së veteranëve të Sarandës, tregoi për rrugën dhe punën e madhe që është bërë e bëhet, në mënyrë që kjo trashëgimi të mbahet e gjallë dhe të përcillet tek pasardhësit e veteranëve.
Deputeti Niko Kuri nënvizoi se modeli që gjejmë në jetën e çdo veterani është frymëzues për brezat e rinj të çdo kohe.
Ndërsa nënprefekti i Sarandës, Mirosh Birjani, duke sjellë edhe urimet e Prefektit Flamur Mamaj, u ndal në vlerësimin e vendosjes së busteve të Tre Heronjve buzë shetitores në Sarandë, si një argument të mbështetjes fuqishëm nga pushteti vendor për të përjetësuar vlerat e atdhedashurisë dhe si një vepër që do t’u flasë brezave.
Për 21 pasardhës veteranësh nga Saranda, Ksamili, Berdeneshi etj., me kontribut të spikatur në mbajtjen gjallë të traditave të patriotizmit e atdhedashurisë dhe për punë të palodhur në transmetimin e këtyre vlerave, u dhanë Çertifikata Mirënjohjeje, nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma.