Rruga e Lumit të Vlorë, Rama: Shkurton distancën, zgjeron hartën turistike të jugut
Rruga e sapopërfunduar e Lumit të Vlorës jo vetëm shkurton distancën për të shkuar në bregdetin e Jonit, por ofron edhe një udhëtim spektakolar përmes luginave e peizazheve të saj të mrekullueshme.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo rrugë, e cila lidh zonën e lumit me bregun e detit në Qeparo, Borsh e Himarë.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër vepër të sapopërfunduar të infrastrukturës sonë kombëtare, rrugën e Lumit të Vlorës, e cila jo vetëm shkurton distancën për të shkuar në bregdetin e Jonit nga më shumë se dy orë në më pak se një orë, por dhe zgjeron hartën turistike të jugut, duke afruar malet e Labërisë me detin përmes një udhëtimi të bukur panoramik për një turizëm gjithëvjetor, ju uroj një të diel të bukur”, shprehet Rama.
Rruga e përfunduar sjellë më afër qendrat e bashkive Himarë, Vlorë dhe Sarandë për të marrë shërbimet të gjithë banorët e zonave.
Të aksesueshme më lehtë si për këmbësorët dhe automjetet, tokat bujqësore kanë një vëmendje të shtuar duke nxitur prodhimin, tregtinë si dhe zhvillimin e agroturizmit.
Në industrinë e turizmit, përmirësimi i infrastrukturës sjellë më shumë lëvizshmëri, rrjedhimisht të ardhura përmes shkurtimit të distancave duke mbështetur zhvillimin e ekonomive lokale në destinacionet bregdetare.