“Kur u kthyem nuk ishte më makina”, çifti rumun tregon eksperiencën e pakëndshme në Sarandë: Polici s’dinte anglisht
Një çift rumun që ka kaluar pushimet në jug të Shqipërisë, nuk ka ngurruar të rrëfejë një eksperiencë të pakëndshme me makinën e tyre.
Gruaja ka treguar në një forum ku rumunët diskutojnë mbi turizmin në Shqipëri, se policia e qytetit të Sarandës i gjobiti dhe u sekuestroi makinën për shkak të parkimit të gabuar.
“Qëndrojmë në Ksamil, unë burri dhe vajza 4-vjeçe. Një natë vendosëm të shkojmë në Sarandë. Parkuam në një vend ku kishte dhe makina të tjera. Por kur u kthyem pas shëtitjes, makina nuk ishte më”, shkruan rumunia në rrjetet sociale.
Ajo thotë se e pati të vështirë të komunikonte me policinë pasi ata nuk e flisnin gjuhën angleze.
“Aty ku parkuam nuk kishte asnjë tabelë që tregonte se ndalohej parkimi. Megjithatë morëm një gjobë na thanë të shkonim të nesërmen të merrnim makinën në një pikë 3 kilometra jashtë Sarandës”, shkruan ajo teksa tregon më pas edhe vështirësinë për të rimarrë makinën.
“Shkuam të nesërmen. Ishte një parking, nuk kishte asnjë njeri, vetëm një qen. I mora në telefon më thanë eja për një orë. Paguam sërish taksi dhe karoatrec. Paguam dhe gjobën pa na dhënë asnjë lloj fature deri sa më në fund e morëm makinë”, përfundon rrëfimi i rumunes.
Komenti i saj ka tërhequr mjaft vëmendje në forumin me të huaj, megjithatë të shumtë kanë qenë ata që janë shprehur se eksperienca të ngjashme kanë hasur kudo në Europë.