Himarë, 5 ditë zjarr në Malin e Çikës: Digjen 80 hektarë pyje, bredha dhe shkurre

Prej 5 ditësh vijon të jetë aktiv zjarri në malin e Çikës. Ditën e sotme dy avionët e tipit Canadair, të ardhur nga Greqia kanë kryer disa operacione, por nuk kanë arritur ende që të shuajnë zjarrin.

Sakaq, në terren prej ditësh po punojnë mbi 100 efektivë të forcave dhe zjarrfikës, por po hasin në vështirësi për shkak të terrenit të thepisur dhe malor.

Në pjesën jugore të malit të Çikës janë djegur rreth 80 hektarë pyll me bredha dhe shkurre.

Sipas autoriteteve vendore zjarri nuk rrezikon fshatin Dhërmi dhe se vatrat janë aktive në gropat e malit, duke mos i dhënë mundësi përhapjes së flakëve.