‘Butrinti’, Skënder Gjinushi: Dakord me menaxhimin
Kryetari i Akademisë së Shkencave Skëndër Gjinushi i ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, është shprehur për herë të parë në lidhje me marrëveshjen për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Kreu i Akademisë së Shkencave, nuk e sheh problemin tek menaxhimi i parkut, por tek pjesa e hulumtimit. Në këtë pikë, thotë Gjinushi, në vëzhgim të parë është një tejkalim i institucioneve shqiptare të cilët kanë të drejtën ekskluzive që të kryejnë hulumtime. Sipas Gjinushit, një fondacion i caktuar mund të marrë përsipër menaxhimin, por jo shkrimin e historisë.
‘Shoh një problem atje, pasi në esencë pasi hulumtimi është një e drejtë ekskluzive që u jepet institucioneve shqiptare ku përfshihet edhe Akademia e Shkencave. Në vëzhgimin e parë ka një tejkalim një mosrespektim të këtij rregulli ligjor. Një mënjanim të institucioneve! Këtu e shoh problemin kryesor. Është tjetër menaxhimi dhe tjetër hulumtimi.
Kur dikush merr përsipër që dhe fondacione të caktuar mund të menaxhojnë, pra e marrim për ta menaxhuar, por jo për të shkruar historinë. Historia është për ta shkruar institucionet jo ai që e merr për ta manaxhuar.
E quaj të tepërt që hyhet në këtë debat, pasi fjalën këtu duhet ta thonë institucionet specialistët që janë marrë me studimin e historisë së Butrintit.
Historia e siteve kryesore arkeologjike është shumë e qartë. Flasin vetë studimet arkeologjike për të gjitha periudhat. Roli ynë është që këto tua servirim të jenë të njohura duke krijuar turizmin kulturore.’- tha Gjinushi.