Bajpasi i Vlorës, aksi i ri rrugor që afron bregdetin e jugut

Bajpasi i Vlorës, një segment kyç për turizmin bregdetar që ofron edhe një panoramë fantastike të gjirit të Vlorës, është ndërtuar me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të kësaj vepre.

“Më afër bregdetit të jugut me bypass-in e Vlorës”, tha Rama.

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me ndikimin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.

Bajpasi nis nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 m nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.

Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet.
Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit evropian.