VIDEO/ Rama: Ishulli i Tongos në Sarandë, një copëz parajse në Jon
Ishulli i Tongos në Sarandë është një tjetër thesar i ‘fshehur’ për vizitorët vendas dhe turistët e huaj.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e këtij ishulli në rrjetet sociale ku ajo që bie në sy është ndërthurja magjike mes të gjelbrës së natyrës dhe të kaltrës së detit të Jonit.
“Pothuajse i pazbuluar nga turistët, ishulli i Tongos në Sarandë është një copëz parajse në Jon, me ujin e kristaltë dhe rërën e bardhë”, shkruan Rama.
Saranda, e ndodhur në gjirin e detit Jon, konsiderohet si një nga vendet më të bukura të rivierës shqiptare dhe nga destinacionet më argëtuese.
I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit tërheq turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare.