Sherri me sende të forta në Ksamil që përfundoi me plagosjen e tre anëtarëve të një familje, policia shpall në kërkim 4 djem të rinj
Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim dhe ka ngritur akuzën për “Plagosje e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim për katër të rinj, të cilët akuzohen se kanë dhunuar ditën e martë tre persona në Ksamil.
“Specialistët e Hetimit të Krimit të Stacionit të Policisë Ksamil referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, si dhe shpallën në kërkim shtetasit: Gj. A., 22 vjeç; K. P., 21 vjeç; E. M., 22 vjeç, dhe S. A., 18 vjeç, banues në Shëndëlli, Sarandë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, pasi në lagjen nr:1, Ksamil, kanë goditur me grushte dhe sende të forta shtetasit A. A., 49 vjeç; L. A., 46 vjeç dhe F. A., 43 vjeç, banues në Ksamil, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve”, thekson Policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
PLAGOSJA
Tre pjesëtarë të një familjeje në zonën e Ksamilit në Sarandë mbetën të plagosur pas një konflikti me sende të forta me persona të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “4 valltarët” në Ksamil, ku mbetën të plagosur anëtarët e familjes Ahmeti. Tiku, Luli dhe Flamur Ahmeti kanë mbetur të plagosur me sende të forta.
Pas ndihmës së parë në Spitalin e Sarandës, njëri nga të plagosurit është transportuar me urgjencë me anë të një helikopteri të Ministrisë së Shëndetësisë në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë, për mjekim më të specializuar. Luli Ahmeti pësoi plagë më të rënda pas sherrit.