Saranda po përjeton rikthimin e shkëlqimit turistik
Saranda ka nisur të presë turistë në shifra si para pandemisë.
Ata që deri para një viti ishin vizitorë njëditorë dhe mbërrinin më shumë për të vizituar Butrintin apo Gjirokastrën, kësaj here po zgjedhin të kalojnë më shumë ditë në Sarandë.
Tur-operatorët e jugut thonë për Gazetasi.al që Saranda ka qenë gjithnjë “kryeqyteti i turizmit” dhe si e tillë më në fund po merr vëmendjen e merituar dhe po përjeton rikthimin e shkëlqimit turistik që para disa vitesh i kishte humbur.
Ata shtojnë se në Sarandë janë kryer një sërë investimesh në funksion të infrastrukturës turistike dhe turistët që nuk e braktisin shprehen se janë të lumtur që gjejnë vazhdimisht ndryshime për mirë.
Ndër investimet më me vlerë së fundmi operatorët turistikë përmendin shëtitoren e re si dhe rrugën panoramike e cila shmang qytetin për këdo që dëshiron të shkojë në Ksamil duke lehtësuar fluksin e qarkullimit të makinave brenda Sarandës.
Fakti që edhe pse ishte pandemi, Saranda nuk u braktis tërësisht nga turistët, sipas tyre dëshmon se sa i dashur është për ta ky qytet.
Ajo çka duket se ka ndryshuar disi këtë vit është gjeografia e vizitorëve. Turistët ukrainas, rusë apo bjellorusë do të mungojnë dhe madje një pjesë e tyre kanë anuluar edhe kontratat të cilat ishin nënshkruar kohë më parë.
Në 2019-n, i cili konsiderohet edhe si viti më i mirë i turizmit, Saranda u vizitua nga rreth 800 mijë vizitorë nga më shumë se 100 vende të botës ku një peshë të rëndësishme zinin pikërisht turistët polakë që këtë vit janë në mungesë.
Megjithatë, sipas tur-operatorëve, ka një trend në rritje të shqiptarëve për të pushuar drejt Sarandës këtë vit.
Operatori turistik Arben Çipa thotë se Saranda ka një kapacitet të përnatshëm akomodues prej rreth 35 mijë shtretërish dhe shton se këtë vit pritet që të vijnë në port një numë rekord prej rreth 150 anijesh cruise.
Vëmendjen e turistëve për Sarandën, Vasil Bedini, kreu i operatorëve turistikë të jugut e shpjegon së pari me faktin që ka një numër të konsiderueshëm strukturash akomoduese të cilat janë maturuar edhe në eksperiencë, duke rritur cilësinë e shërbimit.
“Gjithashtu në qytet janë bërë investime të rëndësishme si shkallaret, bulevardi, ndriçimi, sinjalistika të cilat i kanë dhënë tjetër pamje. Një rëndësi të madhe ka edhe oferta turistike e Sarandës e cila është zgjeruar, duke ofruar mundësi për të gjithë buxhetet nga pushimet me kosto të ulët deri tek përvojat më luksoze dhe private. Gjithashtu edhe përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve”, thotë ai për Gazetasi.al.
Drejtuesit e agjencisë “Beautiful Albania” shprehen për Gazetasi.al se qytetarët po i përqafojnë gjithnjë e më shumë paketat turistike për Sarandën këtë verë.
Dori, i cili është dhe themeluesi i saj thotë se rezervimet kanë nisur që në prill dhe duket se do vijojnë të zgjasin përgjatë gjithë sezonit turistik.
Ajo çka vlerësohet si sfidë e këtij sezoni është cilësia e shërbimeve në raport me prurjet turistike. Largimi i një numri të madh punonjësish të turizmit përgjatë pandemisë si dhe sezonaliteti i turizmit në bregdet e goditi rëndë tregun e punës.
Këtë vit për herë të parë në shërbim në shumë struktura janë shfaqur punonjësit e huaj nga Filipinet, vende të tjera të Azisë, Turqia dhe rajoni.
Kostot e hoteleve janë rritur me 30% si pjesë e një efekti domino nga energjia, ushqimet, pagat e nafta. Por pavarësisht kësaj, tur-operatorët e jugut thonë se çmimet janë përpjekur t’i mbajnë në nivele të ulëta në mënyrë që të mos rëndojnë xhepat e qytetarëve.
Atraksionet më të preferuara të turistëve në Sarandë
Trashëgimia historike qindra vjeçare e Sarandës ka mbërthyer pas vetes sytë e qindra turistëve.
Butrinti, është i pari destinacion që përgjigjen pa e menduar dy herë operatorët turistikë kur i pyet se ku i orientojnë turistët.
“Butrinti tregon gjurmët e hershme të periudhës antike në këtë zonë, është dëshmi e gjallë e asaj kohe e ruajtur deri sot. Teatri, skena e tij, statujat dhe objektet e zbuluara ndër vite kanë lënë pafjalë turistët kur kanë vizituar kodrinën që fshihet rrëzë ujërave të kaltër”, thotë Bedini.
Manastiri i Mesopotamit, i cilësuar si “margaritar i çmuar i trashëgimisë sonë kulturore dhe arkitekturës bizantine botërore”, ka tërhequr turistët e parë që në prag të sezonit turistik të këtij viti, sidomos gjermanët.
Ai konsiderohet si një nga monumentet e rralla të jugut të Shqipërisë, ku mbivendosen kultura dhe historia. Në manastir ndodhet kisha e Shën Nikollit, një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale.
Operatorët nuk lënë kurrsesi pa përmendur Kalanë e Lëkurasit.
I gjithë pozicioni i saj është straegjik sepse duket sikur ruan kodrinën nga lëvizjet në det. Kalaja është rindërtuar për të rikuperuar shenjat e vjetërsisë dhe është përforcuar për t’i qëndruar të ardhmes.
Në fortesën mbrojtëse që daton në shekullin e 16-të, dikur qëndronin ushtarë që mbronin fillesat e vendosjes së perandorisë osmane në këtë pikë jugore të Shqipërisë.
Sot, ajo gëlon nga zërat e turistëve që ulen aty për të konsumuar diçka teksa kundrojnë pamjen piktoreske.
Në vazhdën e atraksioneve turistike më të pëlqyera është gjithashtu edhe Syri i Kaltër, uji i ftohtë nga rrjedha e nëndheshme misterioze që ka krijuar vorbullën me ngjyrë smeraldi ka mahnitur prej vitesh turistët.
Saranda është qytet që nuk të lë vramendje, thonë operatorët.
“Çfarëdo miku që i vjen në derë, ajo di si ta gostisë”, mbyll fjalinë një prej tyre.