Saranda fluks turistësh të huaj gjatë fundjavës së fundit të qershorit

Fundjava e fundit e qershorit solli një fluks të lartë turistësh të huaj në portin e Sarandës.

Dega e Përpunimit të Anijeve dhe Trageteve në portin e Sarandës bëri të ditur për ATSH-në se “fundjava e shkuar në portin e Sarandës ka qenë shumë intensive ku hyrjet dhe daljet në Port kanë qenë më të shumta se çdo ditë tjetër, por edhe me shume se çdo fundjavë e shkuar”.

“Të shtunën janë përpunuar gjatë gjithë ditës rreth 4140 pasagjerë dhe 670 turistë të huaj nga kroçera “Bolette” e kompanisë norvegjese Fred. Olsen Cruise Lines”, thekson Dega e Përpunimit të Anijeve dhe Trageteve në Sarandë.

Administrata e Portit Sarandë i rezervoi një pritje të veçantë kroçerës dhe stafit të saj. Një përfaqësi e administratës portuale ka zhvilluar një vizitë në bordin e anijes për t’u uruar mirëseardhjen në Shqipëri dhe Sarandë.

Përfaqësia e Portit Sarandë është pritur nga Kapiteni dhe zv/Kapiteni i “Bolette” dhe pjesëtarë të stafit drejtues të anijes.

Dy drejtuesit kanë shkëmbyer mes tyre simbolet e kompanisë së kroçerës dhe Portit Sarandë.

Drejtori i Portit Sarandë, Alket Qendro i ka shprehur mirëseardhjen duke shprehur dëshirën që kompania Fred. Olsen Cruise Lines të vendosë Sarandën një destinacion të përhershëm për tu vizituar, duke garantuar se nga ana e administratës portuale do të ofrohen të gjitha shërbimet dhe lehtësitë për hyrjen në port dhe nga ana e Agjencive Turistike të Sarandës do t’ju ofrohen vende dhe site arkeologjike e turistike nga m’ mahnitëset e rajonit për t’u vizituar.

Kapiteni i “Bolette” është shprehur se Saranda është një nga qytetet më të bukura që ka vizituar gjate karrierës së tij si kapiten.

Vitet e fundit Saranda po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj, shkak për këtë janë bërë edhe investimet e rëndësishme si shkallaret, bulevardi, ndriçimi, sinjalistika, që i kanë dhënë tjetër pamje qytetit bregdetar.