Rama: Drejt përfundimit tuneli i Skërficës, shkurtohet 45 minuta udhëtimi drejt Sarandës

Punimet për ndërtimin e tunelit të Skërficës, pjesë e aksit rrugor Kardhiq-Delvinë, janë drejt përfundimit.

Duke nisur nga data 2 korrik parashikohet që ky aks të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve. Aktualisht po betonohen metrat e fundit të tunelit, ndërsa paralelisht po vijon puna edhe për sistemin e ndriçimit dhe atë elektro-mekanik.

Ndërkohë, në të gjitha lotet e tjera të këtij aksi, pothuajse ka përfunduar edhe elementi i fundit, ai i vendosjes së sinjalistikës horizontale dhe vertikale të nevojshme.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje të këtij tuneli, ndërsa bëri të ditur se rruga e re Kardhiq-Delvinë, shkurton kohën e udhëtimit drejt Sarandës me 45 minuta.

“Me përfundimin e tunelit të Skërficës hapet përfundimisht edhe rruga e re dhe e shumëpritur Kardhiq-Delvinë, që do të zbulojë një tjetër pjesë të mrekullueshme të Shqipërisë, duke shkurtuar njëkohësisht kohën e udhëtimit drejt Sarandës me 45 minuta”, u shpreh Rama.