Rama: Drejt përfundimit loti 3 i rrugës së Lumit të Vlorës
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se është drejt mbylljes përfundimtare edhe loti 3 i rrugës së Lumit të Vlorës, një vepër e rëndësishme dhe e munguar për shumë vite e infrastrukturës turistike
Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se ky segment rrugor lidh zonë e lumit me bregun e detit në Qeparo, Borsh e Himarë.
“Ky lot lidh të gjithë zonën e Lumit të Vlorës me bregun e detit në Qeparo, Borsh e Himarë, që së bashku me lidhjen me Kuçin, Gusmarin dhe rrugët e zonës së Labërisë, të Nivicës, Salarisë deri në Tepelenë, do të bëjnë të mundur bashkimin dhe shfrytëzimin e potencialit të jashtëzakonshëm të ofertës turistike mal-lum-det”, nënvizon Kryeministri krahas pamjeve nga kantieri i këtij aksi rrugor.
Segmenti rrugor mundëson lidhjen e dy rrugëve nacionale dhe përfshin edhe një degëzim që mundëson lidhjen me qytetin e Vlorës.
Me një gjatësi investimi rreth 23 km, segmenti Ura e Laskos – Kuç dhe Ura e Laskos – Qeparo mbyll investimin që do të sigurojë përmirësimin e ndjeshëm të jetës së banorëve përgjatë fshatrave të Lumit Vlorë.
Përfundimi i ndërtimit të rrugës, do të sjellë më afër qendrat e bashkive Himarë, Vlorë dhe Sarandë për të marrë shërbimet të gjithë banorët e zonave.
Të aksesueshme më lehtë si për këmbësorët dhe automjetet, tokat bujqësore do të kenë një vëmendje të shtuar duke nxitur prodhimin, tregtinë si dhe zhvillimin e agroturizmit.
Në industrinë e turizmit, përmirësimi i infrastrukturës do të sjellë më shumë lëvizshmëri, rrjedhimisht të ardhura përmes shkurtimit të distancave duke mbështetur zhvillimin e ekonomive lokale në destinacionet bregdetare.