Parlament, interpelancë për Butrintin, Zhupa: Do ndërtoni resort. Margariti: Nuk do ketë asnjë ndërtim
Deputetja e PD, Ina Zhupa ka zhvilluar një interpelancë me ministren e Kulturës, Elva Margariti lidhur me projektin e Butrinit.
Zhupa tha se Ministria e Kulturës e dha me koncesion Butrinit duke argumentuar se deri më tani administrimi nuk kishte rezultuar efektiv për shkak të administratës së paaftë dhe të politizuar.
“Si ka mundësi që shteti jonë heq dorë nga mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe këto ia dorëzon një privati, si ka mundësi që ministria e kulturës del dhe thotë se administrimi ka dështuar për shkak të politizimit dhe paaftësisë së administratës, këto janë argumentet e Ministrisë së Kulturës dhe qeverisë. pse nuk ndryshojnë procedurat në lidhje me administrimit duke vendosur profesionist të administratës, me arkeolog, ekspertë, nëse kriteret janë këto, atëherë institucioni i parë është vetë ministria e Kulturës sepse i plotëson 2 standardet, le të votojmë që të japim me koncesion Ministrisë le ta administrojë Fondi Shqiptaro amerikan apo ndonjë fond tjetër. Fondacioni ka 4 individ privat dhe vetëm ministren e Kulturës dhe pse aty del me emër si Elva Margariti. Cili duhet të jetë raporti që duhet të ketë administrimit si vlerë kulturore dhe si mjet biznesi”, tha Zhupa.
Në përgjigje të saj, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se aty nuk do të ketë asnjë ndërtim.
“Në respekt të kërkesës për interpelancë ndonëse jo mbi pyetje konkrete, do vazhdojmë të sqarojmë ata të cilët ndoshta kanë ende hapësira për sqarime, por mendoj se është për të ndezur llambushka të një publiciteti shterpë dhe me kauza të munguara.
E keni dëgjuar disa herë dhe duhet ta ripërsëris që Butrinti do të vijojë të jetë pronë e shtetit dhe nuk i jepet asnjë privati. DSo të administrohet nga një fondacion shqiptar, do të jetë bashkëpunim me fondacionin shqiptaro-amerikan për zhvillim, punët e të cilit i kemi dëgjuar tashmë që nga pazari i Gjirokastrës, i Tiranës, i Krujës etj.
Ky fondacion do të monitorohet nga Ministria e Kulturës si përfaqësues i palës shtet për të kontrolluar të gjithë aktivitetin e fondacioni, ashtu siç do të auditohet në një nga big4. Marrëveshja e administrimit nuk parashikon asnjë tjetërsim apo kalim prone. Në krye të fondacionit është bordi me 5 anëtarë, 2 nga Ministria e Kulturës, 2 nga partneri strategjik dhe një arkeolog i famshëm, Richard Horges.
Shteti shqiptar nëpërmjet MK është drejtues i bordit. Kjo është një nga kërkesat primare që kemi pasur në që fillim të hartimit të planit. Fondacioni funksionon sipas ligjit të OJF-ve shqiptarë, pra është jofitimprurës duke hedhur poshtë çdo akuzë, alibi apo pikëpyetje ngritur me të ardhurat e Butrintit. Çdo qindarkë do të mbetet në Butrint.
Investimet që parashikohen në total 7.5 milionë dollarësh, ku 5 milionë janë dhënë në formën e marrëveshjes së grantit nga partneri strategjik dhe 2 milionë të tjera janë të garantuara nga arka e parkut të Butrintit, të mbledhura në periudhë 10-vjecare. Parashikojmë të kemi 110 punonjës në Butrint dhe shteti nuk do të shpenzojë para për pagat e punonjësve”, tha Margariti.