Nis montimi i trarëve në urën e Palasës, pjesë e aksit Palasë-Dhërmi
Puna për ndërtimin e segmentit rrugor Palasë-Dhërmi me gjatësi 4.45 km, pjesë e aksit Orikum-Himarë, një vepër me rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit, po vijon me ritme të larta.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga ndërtimi i urës së Palasës, ku po punohet për montimin e trarëve.
“Kantieri i ndërtimit të aksit Palasë-Dhërmi, ku po punohet për Urën e Palasës, një vepër e rëndësishme e infrastrukturës, e cila është në fazën e montimit të trarëve dhe realizimit të shtresës së stabilizantit”, u shpreh Kryeministri Rama në rrjetet sociale.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se kanë përfunduar punimet për e fazës së gërmimit dhe të mbushjes përgjatë të këtij aksi dhe të gjitha veprat e artit të parashikuara në projekt.
Rruga Palasë-Dhërmi, 4.5 km e gjatë është një aks i rëndësishëm që lehtëson lëvizjen e automjeteve përgjatë bregdetit të jugut.
Në këtë projekt, përveç plotësimit me sinjalistikë veprave të artit, është parashikuar edhe ndërtimi i disa rrugëve sekondare për aksesimin e zonave turistike të banuara.
Aksi i ri do të zgjerojë segmentin aktual të kësaj gjurme dhe do ta përshtasë që të ketë akses me daljen e tunelit të Llogorasë.
Në total ndërtimi i rrugës do të kushtojë 16 milionë dollarë. Rruga do të jetë e një kategorie të lartë për sa i përket sigurisë rrugore, ndërsa pritet të përfundojë në fillim të sezonit të ardhshëm veror.