Me 78 vota pro, Bajram Begaj zgjidhet President i Republikës
Bajram Begaj është zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë me 78 vota pro dhe 4 kundër dhe 1 abstenim.
Për zgjedhjen e Presidentit të ri, 83 deputetë të Kuvendit kanë marrë pjesë në votim.
Nga ana e opozitës, në procesin e votimit për Presidentin e ri të Republikës morën pjesë 4 deputetët e LSI-së dhe 2 deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda.
Kandidatura e Bajram Begajt për president, e firmosur nga 37 deputetë të Partisë Socialiste, është mbështetur gjatë seancës plenare të ezaurimit të raundin e katërt.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka gjatë fjalës së saj në Foltoren e Kuvendit është shprehur se Begaj plotëson kriteret formale, kushtetuese dhe ligjore.
Edhe pse nuk u arrit një konsensus me opozitën për një kandidat të përbashkët, Kryeministri Rama tha më herët se i gëzohet faktit që Begaj ishte një figurë që u zgjodh konsensualisht nga kryesia socialiste.
Kujtojmë se Begaj është liruar nga radhët e ushtrisë pasi Presidenti Meta firmosi dekretin për dorëheqjen e tij nga Stambolli, ku gjendet për një vizitë dhe e postoi momentin e hedhjes së firmës në rrjetet sociale.
Kreu i PD-së, Sali Berisha së bashku me grupin e deputetëve demokratë bojkotoi procesin e votimit të zgjedhjes së presidentit me arsyetimin se një ushtarak në detyrë nuk mund të mbajë funksione të tjera sipas nenit 167 të Kushtetutës.
Po ashtu, grupi parlamentar i deputetëve të PD-së të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj nuk morën pjesë në votim dhe nëpërmjet një deklarate të shpërndarë nga deputetja Orjola Pampuri u shprehën se kryeministri i vendit do të zyrtarizojë sot në mënyrë të njëanshme emërimin e Presidentit të Republikës.