DETAJET: Për sezon të sigurtë dhe të mbështetur në shërbime publike
Përgatitja e destinacionit turistik dhe pritshmëritë për sezon të mbarë, nuk mund të plotësohen e të kuptohen, nëse nuk janë në të njëjtin nivel edhe shërbimet në funksion të pushuesve.
Turisti nuk e ndan komoditetin në akomodim dhe standartin në plazhe, nga siguria dhe qetësia që i ofrohet, apo nga cilësia e shërbimeve publike që mbështesin sezonin. Ky ishte fokusi i tryezës së thirrur nga Kryebashkiaku Adrian Gurma.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të Policisë së Shtetit, të Policisë Bashkiake dhe të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashki.
Mes tyre u diskutua për problematika që kanë shoqëruar sezonet e kaluar dhe u morën përgjegjësi konkrete për të mos u përsëritur ato dhe për përmbushjen e detyrave që përmban plani i masave për sezonin “Verë 2022”.
Tryeza shërbeu që secili prej aktorëve të pranishëm të qartësohet për detyrat specifike që i takojnë dhe për të qenë sa më funksional bashkëpunimi e bashkërendimi i punëve mes tyre.