Alarmoi zonën duke qëlluar me armë zjarri në ajër në Gjirokastër, në pranga 17 vjeçari

Qëlloi me armë zjarri në ajër, në fshatin Gjat, Gjirokastër, Policia arreston në flagrancë brenda pak orësh autorin e dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas njoftimit të marrë se në fshatin Gjat, Lunxhëri, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me strukturat e DVP Gjirokastër, kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve intensive dhe profesionale, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. Dh., 17 vjeç, banues në fshatin Gjat, Gjirokastër.

Ky shtetas dyshohet se në orët e mbrëmjes së djeshme ka qëlluar në ajër me armë zjarri automatike, në fshatin Gjat, Lunxhëri.

Pasi ka qëlluar, 17-vjeçari ka fshehur armën e zjarrit dhe është larguar, por është kapur brenda pak orësh nga shërbimet e Policisë. Gjithashtu nga Policia është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, me të cilën dyshohet se ky shtetas ka qëlluar në ajër, si dhe dy krehra.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit të arrestuar u gjet edhe një armë sportive, të cilën ky shtetas e dispononte pa lejen përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.