Ahmetaj në Ksamil: Zgjedhjet në PS, proces i hapur dhe transparent

Zv/kryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj së bashku me deputeten socialiste, Anila Denaj zhvilluan në Ksamil një takim me strukturat vendore të Partisë Socialiste.

Ahmetaj u shpreh se në takim u diskutua për procesin e vlerësimit të kandidaturave dhe përzgjedhjen e Kryetarit të ri të PS në bashki.

Ahmetaj theksoi se, ky është një proces i hapur dhe transparent që në themel synon hapjen e partisë.

“Me Anilën dhe strukturat vendore të Partisë Socialiste diskutuam për procesin e vlerësimit të kandidaturave dhe përzgjedhjen e Kryetarit të ri të PS në bashki, një proces i hapur dhe transparent që në themel synon hapjen e partisë, që nga votuesit për herë të parë e të rinjtë që praktikisht afrojnë inovacion brenda partisë, tek përfaqësimi i grave e vajzave dhe githëkujt ka vizionin dhe dëshirën për t’iu bashkuar familjes më të madhe politike të të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Ahmetaj në një postim në rrjetet sociale.

Në procesin e ri zgjedhor në Partinë Socialiste, kandidatët për drejtimin e 61 degëve kryesore të partisë do të ballafaqohen përpara anëtarësisë, nën mbikëqyrjen e Komisionit të Posaçëm të kryesisë socialiste.