Shërbimet online në Gjirokastër, Kote: Zgjidhje në kohë problemeve të qytetarëve

Prej 1 majit, si në të gjithë vendin edhe në qarkun Gjirokastër ka nisur të ofrohet shërbimi online në portalin e-Albania, duke eliminuar nevojën e qytetarëve të paraqiten fizikisht pranë sporteleve.

Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Odise Kote inspektoi sot nga afër ecurinë e reformës për digjitalizimin e shërbimeve në bashkinë Gjirokastër.

Gjatë inspektimit prefekti Kote kërkoi nga drejtuesit dhe punonjësit e këtij shërbimi që kjo periudhë të jetë koha e një pune plot pasion, përkushtim e përulësi në shërbim të qytetarit.

“Të gjithë problematikat që dalin gjatë procesit të jenë vëmendje të plotë për t’ju dhënë zgjidhje në kohë optimale apo të adresohen me prioritet në Institucionet përgjegjëse”, tha Kote.

Që nga 1 maji, shërbimet e gjendjes civile ofrohen online për të gjithë qytetarët.  Udhëzimet për përdorimin e sistemit në e-albania janë afishuar kudo pranë institucioneve të administratës shtetërore dhe në faqet e internetit, ku saktësohet se cilat shërbime ofrohen online.