Sarandë: Si po zhvillohet sektori i qiradhënies ditore

Dhënia e apartamenteve me qira ditore është një biznes që këtë vit po zhvillohet së tepërmi nga profesionistët për rritjen e të ardhurave. Ky biznes, nga kompanitë e shitblerjes së pronave është i zhvilluar më shumë në qytetet bregdetare. Aktorë të tregut pohojnë se pikënisja e zhvillimit të sektorit në Shqipëri ishte qyteti i Sarandës, ndërsa në Tiranë shtrihet kryesisht në lagjet qendrore.

“Qyteti bregdetar në të cilin ka filluar historia e apartamenteve me qira ditore dhe po ashtu me industrinë më të zhvilluar, është Saranda, por në aspektin e shifrave, Durrësi është qyteti me numrin më të madh të pronave që përdoren për këtë qëllim.

Qytetet kryesore ku është zhvilluar ky aktivitet janë Tirana dhe të gjithë qytetet me karakter turistik bregdetar, si: Durrësi, Vlora, Saranda, Shëngjini, por edhe ato kontinentale si Shkodra, Korça apo Pogradeci. Në Tiranë, zonat më të preferuara janë ato qendrore, por edhe periferia nuk mbetet pas”, thekson agjenti imobiliar i “Century 21 CPM”, Dritan Leka.

Në Tiranë, sipas administratores së kompanisë së arredimit të apartamenteve “GBarchs Architects”, Gladiola Balliu, ky aktivitet shtrihet më tepër në zonat e ish-Bllokut, 9-Katësheve, Rruga e Elbasanit dhe “Myslym Shyri”. “Individët që rezervojnë apartamente janë pjesa më e madhe të huaj, pasi prona bën pjesë në platformat ndërkombëtare Booking dhe Airbnb.

Shumë shtetas të huaj paguajnë qiranë për një periudhë afatgjatë, për shkak të punësimit në Tiranë. Tendenca për dhënien me qira të apartamenteve të modelit ‘B&B’ ka nisur të shtrihet edhe në rrethet jobregdetare, si Fier dhe Elbasan.

Arbër Brahaj, broker në agjencinë “RealEstate.al”, shtoi për “Monitor” se fenomeni i marrjes me qira të apartamenteve për periudhë afatgjatë dhe dhënia e tyre me qira ditore është më i përhapur në zonat turistike, si Sarandë, Vlorë, Shëngjin. “Këto janë prona të blera nga emigrantët dhe lëshohen me qira vjetore deri në 3,000 euro në vit, që më pas rijepen me qira ditore, pasi fitimet në muajt e verës arrijnë 5,000 deri në 6,000 euro”.

Brahaj pohon se fenomeni në Tiranë nuk është kaq i përhapur sa në qytetet bregdetare, pasi jo të gjithë pronarët e apartamenteve lejojnë ridhënien e pronës me qira ditore.

“Në Tiranë, zakonisht pjesën e ridhënies me qira të pronës, pronarët e bllokojnë me kontratë. Pronarët në kontratë nuk e lejojnë ridhënien me qira të apartamentit. Qiraja ditore u shërben zakonisht personave që vizitojnë Tiranën për më shumë se 3 ditë dhe ka të bëjë me turistë, studentë të huaj dhe persona që janë në kërkim të qirasë afatgjatë dhe marrin me qira diçka për pak javë sa të sistemohen. Në shumë raste në Tiranë, dhënia e apartamentit me qira ditore zhvillohet kryesisht nga vetë pronari, pasi ka të ardhura më të larta sesa qiradhënia afatgjatë”, pohon ai.

Sa varion çmimi i tyre

Në Tiranë, nga kërkimet e “Monitor” në platformën Booking rezulton se çmimet e apartamenteve me qira ditore afër qendrës, me mobilim më luksoz kanë çmim më të shtrenjtë. Zona më e shtrenjtë rezulton rruga “Bardhok Biba”, afër Muzeut, ku qiraja e apartamenteve është 42 euro/nata. Në rrugën “Kusuri”, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, çmimi është 37 euro/nata.

Në Sarandë, çmimet për apartamentet “B & B” nisin nga 18 euro nata në zonën e kanalit të Çukës; 27 euro nata në rrugën “Mitat Hoxha” (afër portit); nga 29 euro deri në 34 euro/nata në lagjen nr. 1 rruga “Butrinti” dhe në zonën afër Muzeut Arkeologjik të Sarandës.