Sarandë, përgatitje për pastërti e infrastrukturë në sezonin turistik

Pastërtia në tokë dhe në det, parandalimi i ndotjes dhe dalja përpara ndaj rrezikut të zjarreve, afrimi në nivel sa më cilësor i shërbimeve ndaj banorëve dhe turistëve, në Sarandë, Ksamil dhe në rrethinat e tyre, janë disa nga objektivat e punës që ka ndërmarrë bashkia Sarandë për këtë sezon turistik.

Bashkia Sarandë bëri të ditur se, grupet përkatëse të punës në këtë bashki, janë në terren në këtë prag sezoni veror dhe po punojnë në çdo drejtim për të ofruar standarde të pastërtisë dhe rregullit infrastrukturor.

Aktualisht po punohet në riparimin e plotë të ndriçimit të rrugëve dhe bulevardit kryesor të qytetit, pastrimin e plazhit dhe rërës, mbjelljen e pemëve të reja dhe rikonstruksionin e trotuareve përgjatë bulevardit, që është një nga pikat më të frekuentuara nga turistët dhe vizitorët e ndryshëm.

Gjithashtu, vëmendje po i kushtohet edhe menaxhimit sa më të mirë të mbetjeve urbane, shërbimit të sinjalizuesve veçanërisht në kurorën e gjelbër të Sarandës, mirëfunksionimit të senseve të rrugëve hyrëse dhe dalëse në qytetin e Sarandës gjatë gjithë sezonit e sidomos në periudha të fluksit të lëvizjes.

Falë investimeve në turizëm Shqipëria ka mundësi të artë që të jetë konkurrente e fortë në rajon, veçanërisht me zonat potenciale turistike të saj me bukuri të veçanta natyrore, ku bën pjesë dhe Saranda.