REPORTAZHI/ Ksamili tregon ai e pret sezonin “Verë 2022”

Hotelierët dhe kuzhinjerët, bizneset në shërbim të turizmit, artistët dhe sportistët në Ksamil, treguan se janë të përgatitur për të ofruar dhe përballuar një sezon të mbarë turistik, me ofertë të përmirësuar.

Pas Sarandës, veprimtaritë prezantuese dhe promovuese për sezonin “Verë 2022”, u përsëritën në Ksamil, si një destinacion po aq i preferuar nga pushues vendas e të huaj.

Ksamiliotët iu bashkuan kësaj feste me praninë e tyre dhe me entuziazmin e pritshmëritë e tyre për një verë të mbarë.

Vizita e Kryetarit të Bsshkisë Adrian Gurma, shoqëruar nga zëvendëskryetari Romeo Çakuli e Valbona Oruçi, administratore e Njësisë Administrative, nga këshilltarë bashkiakë etj., nisën nga tryezat e bizneseve lokale që prezantuan ofertën e kësaj vere.

Siç Ksamili di ta bëjë, një panair të plotë realizoi me recetat e gatimit të prodhimeve të detit e sidomos të midhjes, që është mbretëresha e ujërave të Liqenit, që rrethojnë gadishullin e Ksamilit. Këtij panairi kulinarie, nuk iu ndanë gatimet e realizuara nga konvikti i shkollës së Hoteleri-Turizmit, institucion në varësi të Bashkisë.

Stenda e kompanisë Steff, promovoi para vendasve dhe pushuesve të parë që kanë mbërritur në Ksamil, destinacionet Saranda e Ksamili, hartën e pasuruar me pika të reja të interesit turistik dhe si mund të shkohet atje.

Ekspozita “Zgjidh destinacionin tënd”, në shqip e anglisht, u bë pjesë e promocionit turistik edhe në Ksamil, njësoj si në Sarandë.

Nga skena e eventit, Kryebashkiaku Adrian Gurma i përshëndeti dhe uroi të pranishmit dhe gjithë banorët e Ksamilit, për një sezon plot mbarësi, me miq të shumtë nga vendi dhe bota, të cilëve sllogani “Eja në Ksamil”, u ka shkuar si një ftesë për të pushuar në këto brigje. Festa u zbukurua nga ylbere fishekzjarresh.

Pas kësaj skena ishte për grupet e artistëve të Qendrës Kulturore Sarandë. Grupe të polifonisë, këngëtarë, valltarë dhe grupet e violinitë rinj, performuan për ksamiliotët dhe pushuesit.

Pas tyre atmosferën e ndezi këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore, Juli Çenko, me këngë live, shoqëruar nga grupi i orkestrantëve të saj. Ksamili festoi deri vonë, duke e kthyer sheshin në pistë kërcimi nën ritmin dhe meloditë e këngëve aq të njohura e të dashura.

Me gjithçka që u tregua e u realizua, lajtmotivi ishte “Eja në Ksamil”.

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=416386423824449&id=100063592846018