Pse kërkohen pikërisht tani më shumë rezultate nga SPAK? Ja çfarë thotë deputetja e Sarandës

Arben Kraja, kreu i SPAK, tha këtë të enjte se prokuroria funksionon me bazë provash dhe duke zbatuar ligjin. Por a bo e bën një gjë të tillë kjo strukturë për sa kohë Edi Rama i ka mëshuar hetimit të disa dosjeve të bujshme?

Përgjigje kësaj pyetjeje i dha në Debat me Alba Alishanin në A2 CNN Anila Denaj, deputete e PS.

“Rama e ka thënë disa herë se pritshmëritë e popullit shqiptar janë për një performancë me më shumë rezultate dhe ky është postulati. Nuk duhet parë si një ndërhyrje, por një kërkesë për të prodhuar më shumë rezultat ndaj një reforme që PS e ka çuar përpara. Ka një detyrim moral për të realizuar një kërkesë për një rezultat më të lartë. Ne po flasim për një numër të madh dosjesh. Të kërkosh më shumë është legjitime sepse është investuar në këto 5 vite”, tha Denaj.

Por pse po kërkohen më shumë rezultate pikërisht në këtë periudhë nga SPAK?

“Është një mesazh me familjen e madhe socialiste për të thënë se hierarkia është diçka për të cilën vlen të flasim. Ne kemi jetuar në këtë vend, kemi jetuar ngjarje të rënda si Gërdeci, 21 janari, çështje shumë të rëndësishme, të cilat mund të zgjidhin njëherë e mirë dyshimin e shqiptarëve nëse ka korrupsion apo jo”, tha Denaj.