Pastrohet mali i plehrave në Gjirokastër, Rama: Duajeni më shumë Shqipërinë

Në kuadër të operacionit të përditshëm për Pastrimin Kombëtar, në Gjirokastër u pastrua një mal me plehra të hedhura në mënyrë të papërgjegjshme në territor.

Ndërsa ndau pamjet e situatës së turpshme me plehrat pranë qytetit të listuar si pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Rama u bëri apel qytetarëve të mos hedhin plehrat rrugëve.

“Shqipëri e Pastër. Një tjetër mal turpi i përbashkët mu pranë xhevahirit europian të quajtur Gjirokastër, u zhbë në kuadër të operacionit të përditshëm të Pastrimit Kombëtar. Mos hidhni dhe as mos lini plehrat rrugëve o njerëz. Duajeni më pak Shqipërinë me llafe e me komente nëpër rrjete sociale dhe bëni pak më shumë për atdheun tonë, të paktën duke mos e bërë pis”, tha Rama.

Plani Kombëtar i Pastrimit rrënjësor të Shqipërisë nisi më 7 nëntor 2021 në Vlorë dhe po përfshin të gjitha qytetet e vendit.