Nisja e sezonit, Kumbaro në Borsh: Turizmi dhe bujqësia, sektorët që dimensioni estetik po i kthen në fuqi ekonomike
Nga festivali Southoutdoor që po zhvillohet në Borsh, në nisjen zyrtare të sezonit turistik, ministrja Mirela Kumbaro foli për turizmin dhe bujqësinë si sektorë që kanë ndryshuar në koncept duke u kthyer në perspektivën dhe të ardhmen e Shqipërisë.
“Kemi folur për pushime dhe në konceptin tonë ato lidheshin me detin dhe më 15 gusht mbyllej sezoni. Ndërkohë që të pretendosh për turizëm do të thotë të mendosh, të kesh vizionin për një sektor të caktuar të ekonomisë që në Shqipëri nuk mund të jetë një sektor ‘diku andej’, por është perspekiva, e sotmja dhe e ardhmja e Shqipërisë.
Ne nuk kemi as metalurgji, as industri të rëndë; Ne kemi bujqësinë dhe turizmin, prandaj nëse duam të mos flasim për pushime, por për turizmin profesional, menaxherial, në kuptimin e ekonomisë dhe të të ardhurave”, u shpreh Kumbaro gjatë një forumi me gazetarë dhe artistë në Borsh.
Ministrja pohoi gjithashtu se bujqësia është kthyer në një atraksion dhe intrumentet e subvencionit për agroturizëm nxitën investitorët ta shohin pasurinë e tyre si një vend mikpritjeje ku mund të ftohen turistë që rrisin e konominë. Kështu, sipas ministres Kumbaro, u definua edhe dimensioni estetik që mundësoi krijimin e qendrave të vogla të turizmit.
“Unë besoj jashtëzakonisht shumë te forca e estetikës si një fuqi ekonomike. Rilindja Urbane ishte një dimension i fuqishëm investimi estetik që krijon një tjetër gjendje psikologjike, një tjetër dëshirë për jetën dhe një tjetër dëshirë për të investuar, por edhe për të harxhuar para. Kjo krijoi turizmin e qendrave të vogla urbane, krijoi hapësirat publike ku qendrat lidhen me qendra të tjera.
Unë nuk do të flas për periferitë, nuk mendoj që ka periferi. Unë mendoj që ka potenciale për të krijuar shumë qendra. Sot qendra është Borshi. Nesër qendër do të jetë Dhërmiu me një tjetër festival. Do të jetë Shëngjini me një tjetër festival. Koncepti i krijimit të shumë qendrave, lidhjes mes tyre përmes një kalendari, përmes një vizioni, krijon një ekonomi që shtrihet në të gjithë territorin, shtrihet në kohë dhe e çon turizmin në turizëm gjthëvjetor të diversifikuar. Dhe këtu në Southoutdoor Festival ju keni krijuar një Shqipëri të vogël”, tha ministrja Mirela Kumbaro.
Në vijim të fjalës së saj, ministrja Kumbaro nuk la pa përmendur edhe faktin që zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit lidhet me gjetjen e ekuilibrit të duhur ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe për këtë kërkohet të zhvillohen modele emancipimi.
“Nuk mund të flasim për turizëm vetëm si një çështje qejfi, por turizëm si një dimension mendor, psikologjik, si një mënyrë të re të jetuari në paqe me natyrën, por edhe si një urë lidhjeje mes bujqësisë, sporteve, infrastrukturës, zonave të mbrojtura duke gjetur ekuilibrin e duhur midis turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisit. Krijimi i modeleve të emancipimit është sfida më e madhe që ne kemi, prandaj të gjitha investimet qoftë për zhvillim të qëndrueshëm, qoftë për estetikë urbane, janë pjesë e emancipimit”, tha ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në forumin me gazetarët në Borsh.
Festivali South Outdoor zhvillohet deri në datë 3 maj, teksa në këtë edicion të pestë u zhvillua me tematikën e mjedisit.