“Me çfarë merreni?”, Rama kritika kryebashkiakëve: U zgjodhën pa garë dhe pa kundërshtar dhe rrinë për inerci

Në fjalën e tij në Asamblenë Socialiste kryeministri Edi Rama ka kritikuar një pjesë të kryetarëve socialistë të bashkive, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Rama theksoi se ata u zgjodhën pa garë dhe pa kundërshtar dhe rrinë aty vetëm për inerci.

Pa dhënë emra konkretë, kritikat ndaj tyre, kreu i qeverisë i adresoi për dy problemet më të mëdha dhe sfidat e qeverisë së tij siç është papastërtia dhe mosdhënia e shërbimit për qytetarët.

“Disa kryetarë bashkisë që hynë në një palë zgjedhje pa garë dhe u zgjodhën kryetarë në një ndeshje pa kundërshtarë kanë vazhduar për inerci të qëndrojnë në krye të bashkive a thua se kundërshtarët e komunitetit nuk ekzistojnë. Po marr papastërinë që është a-ja dhe që është një sfidë e madhe e këtij mandati. Sfidë që po luftojmë përditë.

Një pjesë janë krah për krah me ne, me ministren e Mjedisit. Një pjesë nuk janë fare të angazhuar në këtë proces dhe kjo është fatkeqësi. Siç është fatkeqësi të shohësh se kërkesës ligjore për të ngritur këshillat rinorë vendorë deri tani janë përgjigjur vetëm 44 bashki.

Afati ka kaluar dhe ka stërkaluar. Nuk dua t’i marr me emër, por e dinë. Me çfarë merreni? Po si ka mundësi që nuk ju intereson. Çfarë do t’u thoni të rinjve? Si do t’u dilni përpara?”, tha Rama.