“Le të shkojë ku të shkojë”: Qëndrimi i prokurorit të Gjirokastrës Emror Kasaj në KPK

Prokurori i Gjirokastrës, Emror Kasaj u përball për herë të dytë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 5 maj lidhur me problemet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit. Në fillim të seancës, kryesuesja Xhensila Pine sqaroi se ishte pranuar kërkesa e prokurorit Kasaj e paraqitur në seancën e mëparshme më 17 mars për riçeljen e hetimit edhe në dy kriteret e tjera.

Relatori Komici konstatoi të enjten se ishte riçelur hetimi edhe për pasurinë, prej nga vërehej paqartësi e burimeve financiare të subjektit të rivlerësimit dhe të personave të lidhur. Sipas Komicit, nga analiza financiare paraprake për periudhën 2010-2016 Kasaj rezulton me balancë negative në vlerën e 31 milionë lekëve.

Kasaj e kundështoi analizën e KPK-së gjatë seancës parardhëse. Ai pretendoi se ishte treguar “naiv i madh” në një sërë transaksionesh, që sipas relatimit të Komisionit e nxirrnin me deklarime të rreme, pasuri të fshehur dhe cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Edhe në seancën e të enjtes, prokurori Kasaj në mënyrë të përmbledhur e kundërshtoi pamundësinë financiare të konstatuar nga Komisioni. Ai deklaroi se sipas një akt-ekspertimi privat që kishte kryer rezultonte me balancë pozitive gjatë gjithë periudhës së hetuar.

Subjekti kërkoi që të mos i konsiderohej si shpenzim gjysma e vlerës së banesës 1 milion e 250 mijë lekë, duke pretenduar se gjithçka ishte mbuluar nga i ati. Po ashtu, kërkoi të mos konsideroheshin shpenzimet për udhëtimin dhe qëndrimin për dy javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA duke deklaruar se ato ishin mbuluar nga organizatorët e trajnimit.

Në fund të seancës dëgjimore, prokurori Kasaj u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar Steven Kessler lidhur me marrëdhënien që kishte me kompaninë e biznesmenit Shkëlqim Fusha, prej nga kishte marrë një hua në shumën 140 mijë euro.

Kasaj deklaroi se biznesmeni Shkëlqim Fusha në atë periudhë nuk ishte kaq i fuqishëm sa është sot dhe as person publik.

“E dija që merrej me ndërtime,” pohoi subjekti dhe sqaroi se kur një shoqëri me të cilën ishte dakordësuar për të kryer investim në tokën që zotëronte ishte tërhequr, atëherë i kishte shkuar mendja tek kompania “Fusha”.

Kessler e pyeti se çfarë do t’i jepte në këmbim të vlerës 140 mijë euro kompanisë “Fusha”, ndërsa Kasaj u përgjigj se kompania do të ndërtonte në pronën e tij dhe ato para do të përllogariteshin në sipërfaqen e ndërtimit që do t’i takonte. “Ai kishte interesin e tij. Nuk do të më jepte katër apartamente, por do të më jepte dy ose një apartament,” shtoi ai.

Pas insistimit të vëzhguesit ndërkombëtar se në çfarë rrethanash i ishte besuar një vlerë e tillë prej kompanisë “Fusha”, subjekti këmbënguli se gjithçka ishte kryer në mirëbesim. “Ai e dinte që Emror Kasaj ishte burrë i ndershëm. Ashtu mendova dhe unë për ortakun tim dhe ia dhashë atij zotërisë një pjesë së vlerës së huasë. Kjo më ka kushtuar sa nuk e imagjoni dot,” pohoi Kasaj dhe shtoi se ishte kujdesuar vetë që të hartonte shkresa tek një avokat lidhur me huanë që kishte marrë.

Figura

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar fillimisht përshtatshmërinë e prokurorit Kasaj për të vazhduar detyrën. Pas përditësimit të raportit janë referuar informacione për përfshirjen e tij në korrupsion pasiv dhe për ndikim të paligjshëm në një proces penal.

Bazuar në këto të dhëna, DSIK ka ndryshuar raportin duke konstatuar papërshtatshmërinë e prokurorit Kasaj në këtë kriter rivlerësimi.

Relatori Komici pohoi se bazuar edhe në të dhëna të tjera të institucioneve ligjzbatuese, duket se informacionet përputhen me rezultatet e hetimit. Megjithatë, ai vërejti se konstatimet dhe shpjegimet e subjektit do të vlerësohen në vendimarrjen përfundimtare.

Prokurori Kasaj theksoi se në materialet që i janë dhënë nuk gjente asnjë rast që të kishte ushtruar korrupsion. “Kam punuar vetëm me përkushtim, profesionalizëm dhe guxim,” pohoi Kasaj dhe për ndryshimin e raportit fajësoi raportimet në media.

Subjekti pranoi se kishte udhëtuar me një gjyqtare për të ndarë shpenzimet, por sipas tij, asnjëherë nuk kishte ushtruar ndikim. Ai vërejti se në rastin për të cilin ngriheshin dyshime kishte kërkuar “arrest në burg” ndaj të proceduarit, ndërsa gjyqtarja kishte vendosur masë tjetër, “detyrim për paraqitje”.

Gjetjet për profesionalizmin

Relatori Komici u ndal gjatë në kriterin profesional. Sipas një prej 11 denoncuesve nga publiku, prokurori Kasaj ka qenë i anshëm në hetimin e një aksidenti me pasojë vdekje, pasi nuk ka kërkuar caktimin e masës “arrest në burg” ndaj autorit megjithëse dy akt ekspertime konstatonin se ai ishte shkaktari.

Nga sa u relatua në seancë, u mësua se denoncuesi S.N. kishte qenë duke drejtuar një mjet tip zetor duke ecur ngadalë në korsinë e tij, kur është përplasur nga një autoveturë me shpejtësi jashtë normave të lejuara duke sjellë përmbysjen disa herë të zetorit.

Si pasojë ka humbur jetën djali i drejtuesit të zetorit dhe është plagosur ai dhe bashkëshortja. Fillimisht, drejtuesi i autoveturës me inicialet E.GJ., është lënë në masën e “arrestit me burg”, por më pas gjykata e ka ndryshuar atë në detyrim për paraqitje.

Sipas Komicit, prokurori Kasaj nuk e ka ankimuar vendimin e gjykatës për lehtësimin e masës.

Fillimisht, është kryer ekspertim me një ekspert që ka nxjerrë shkaktar të aksidentit drejtuesin e autoveturës. Një ekspertizë e dytë e ka nxjerrë atë sërish fajtor.

Në vijim, prokurori Kasaj ka pranuar edhe një kërkesë të tretë të të proceduarit E.GJ., këtë herë me pesë ekspertë, të cilët kanë konkluduar se fajtori ka qenë drejtuesi i zetorit,  pasi djali qëndronte në shkallaren e mjetit pa sigurinë e duhur. Sipas tyre, edhe nëse autovetura do të kishte respektuar normat e shpejtësisë, aksidenti do të kishte ndodhur për shkak të gabimeve të drejtuesit të zetorit.

Komici konstatoi se bazuar në akt-ekspertimin e tretë subjekti ka marrë të pandehur babanë e viktimës dhe po atë ditë ka përfunduar hetimet, duke kryer edhe pushim të pjesshëm të çështjes për shtetasin E.GJ.

Çështja i është kaluar më pas një prokurori tjetër që ka kërkuar fajësinë e babait të viktimës, që është pranuar nga gjykata e shkallës së parë dhe nga Apeli.

Sipas Komicit, është e paqartë nevoja e ekspertimit të tretë, si dhe ka rezultuar se subjekti nuk i ka njoftuar shtetasit S.N. dhe avokatit të tij vendimarrjen për përfundimin e hetimeve.

Prokurori Kasaj deklaroi se nuk e kishte ankuar ndryshimin e masës së sigurisë për E.Gj., pasi kishin dalë rrethana të reja të ngjarjes. Sipas tij, mjeti tip zetor ishte shumë i amortizuar dhe se drejtuesi ishte futur në rrugë megjithëse e kishte parë se autovetura e drejtuar nga E.Gj. po udhëtonte me shpejtësi.

Subjekti deklaroi se viktima ishte duke qëndruar jashtë zetorit.

“Po krijoja bindjen se fajtor ishte babai i viktimës,” pohoi Kasaj. “Kur e shikon se tjetri po ecën me 200 km në orë dhe e ka filluar shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, shtetasi S.N. përse nuk duhej të respektonte tabelën e ndalimit, por duhej të fillonte edhe ai shkeljen e rregullave,”, argumentoi subjekti dhe theksoi se edhe nëse do të kishte pasur tre ekspertime kundër, ai do të vepronte sipas bindjes së krijuar nga provat.

I pyetur se përse nuk kishte pranuar kërkesën e avokatit të babait të viktimës për kryerjen e një ekspertimi të katërt me 7 ekspertë, Kasaj këmbënguli se ekspertimi i tretë e kishte bindur.

Prokurori Kasaj dha shpjegime edhe lidhur me qëndrimin e tij të ndryshëm në caktimin e masave të sigurisë për dy persona, ku në një rast nuk kishte qenë dakord me lehtësimin e masës, ndërsa për një person që rezultonte i dënuar tre herë për vepra të rënda penale ishte dakordësuar duke mos kryer ankim. Kasaj deklaroi se dënimet e të proceduarit merreshin në vlerësim gjatë vendimarrjes së dënimit dhe jo për caktimin e masës së sigurisë.

Subjekti kundërshtoi një konstatim të Komisionit se kishte zgjatur hetimin në një rast pa qenë nevoja. Sipas prokurorit, personi i proceduar ishte një shtetas italian, i dyshuar për trafikim të mjeteve motorike dhe falsifikim të dokumenteve dhe se ai kishte rrezik të arratisej. Sipas Kasajt, hetimi ishte kryer në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Komisioni konstatoi se në një hetim të regjistruar për trafik narkotikësh dhe mbajtje të armëve luftarake, duhej të ishte hetuar për trafikim të mjeteve motorike, ndërkohë që subjekti kishte disponuar me vendim pushimi.

Kasaj sqaroi se gjatë operacionit të kryer në Lazarat kundër kultivimit dhe trafikimit të cannabisit, ishte gjetur një mjet pa targa. Sipas tij, hetimi ishte kryer fillimisht nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda dhe çështja ishte ndarë me fraksion. Subjekti këmbënguli se regjistrimi në sekretari ishte kryer në rregull, për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike, ndërsa ishte njoftuar edhe policia rrugore pasi makina nuk kishte targa. Kasaj deklaroi se prova ishte e disponuar, por nuk egzistonte vepra penale.

Subjekti kundërshtoi gjetjet e Komisionit në rastin e hetimit të një shtetasi nigerian për kalim të paligjshëm të kufirit, i cili rezultonte të kishte qenë edhe i plagosur. Sipas Komisionit, Kasaj nuk e ka trajtuar rastin bazuar në ligjin për azilin. Sipas prokurorit Kasaj, në këtë rast nuk mund të procedohej bazuar në ligjin për azilin, pasi i dëmtuari vinte nga një vend i sigurtë, siç është shteti grek.

Në fund të seancës dëgjimore, prokurori Kasaj nuk bëri kërkesë konkrete lidhur me procesin e tij të rivlerësimit. “Le të shkojë ku të shkojë. Respektin dhe besim tim e keni fituar që në momentin që më dëgjuat,” i tha ai trupës. Vendimi do të shpallet më 9 maj. /BIRN/