Fshati Sopot i Delvinës një shekull pa ujë të pijshëm, banorët: Furnizohemi në qytet, i vetmi burim natyror, gjatë verës shteron
Rrëzë malit Sopot shtrihet fshati me të njëjtin emër, me bukuri të mahnitshme natyrore e njerëz punëtorë, por që vuajnë prej një shekulli mungesën e ujit të pijshëm. Për të mbërritur në Sopot ose siç e njohin banorët me emrin e vjetër Varfaj duhet të përshkosh 12 km nga qendra e Delvinës përmes një rruge të paasfaltuar.
Aktualisht këtu jetojnë 120 banorë, ndërsa tregojnë se 4 breza që nga krijimi i fshatit në 1918 kanë vuajtur mungesën e ujit të pijshëm.
“Që kur është ndërtuar fshati uji është marrë shumë larg prej këtej. Pastaj pas viteve ’90 është ndërtuar një linjë (depozitë) me ndihmën e një fondacioni holandez. Ky është problem shumë shqetësues për të gjithë ne”, tha një banor.
“Marrim njëherë në 10 nga 5 kuintal për familje! Vijnë këtu politikanët premtojnë e s’bëjnë asgjë, na duket sikur tallen me ne”, tha një tjetër.
Nuk ka pasur asnjëherë rrjet ujësjellës, ndërsa në qendër ndodhet e vetmja çezme publike me burim natyror, e cila gjatë verës shteron. Në këto kushte kanë ndërtuar një depozitë, ku marrin ujë me racion rreth 5 kuintal për familje. Shpeshherë janë të detyruar të zbresin në Delvinë për të mbushur ujë me bidona të cilin e transportojnë me kafshë pune apo makinë.
“Një herë ose dy herë në muaj marrim nga 5 kuintal, po çfarë të bësh me aq pak, të pish, të lahesh, të mbash bulmetin se kemi dhe bagëti”, shprehet një tjetër banor.
Apelin ia drejtojnë kryeministrit Edi Rama dhe deputetes së zonës, Anila Denaj.
“Këtë problem e kemi paraqitur kudo në çdo institucion i bëj thirrje kryeministrit Ramë të vërë dorën në këtë fshat!”