E vërteta e Butrintit dhe ‘arkeologjia’ e të pavërtetave

Butrinti, si fenomen e jo si qëmtim i një qyteti antik, u rikthye ditët e fundit në kryefjalën e një vrulli opinionesh të pafaktuara e deklaratash të shtrembëruara si bindje.

E marta e 26 prillit hapi një “portë” diskutimesh dhe përplasjesh, fillimisht mes ministres së Kulturës, Elva Margariti, dhe deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e më pas mes ekspertëve të ndryshëm dhe publikut të gjerë.

Debati kapërceu kornizat e përplasjeve mes institucioneve dhe opozitës, duke gemtuar në komplote e përgënjeshtrime të njëpasnjëshme.

Në komisionin parlamentar për Edukimin dhe Median, projektligji për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, u konsiderua fillimisht nga përfaqësuesit e opozitës si “jotransparent”.

Ndërsa, me të përfunduar mbledhja, u publikuan aludime lidhur me fondet dhe përfshirjen e “palëve të treta” në planin e menaxhimit të sitit arkeologjik.

Ministrja Margariti pranoi se marrëveshja në fjalë ishte klasifikuar si sekret për të shmangur keqinterpretimet nga deputetët.

“Nuk do të doja që të keqinterpretoheshin të gjitha elementët e parashikuar në planin e biznesit në këto komisione, për sa kohë ministria ka të gjithë tagrin dhe detyrimin që të shohë ecurinë e këtij plani dhe të marrë masa nëpërmjet organeve kompetente”, theksoi zyrtarja shqiptare.

Shumë media (portale dhe televizione) e raportuan planin e menaxhimit të Butrintit si “koncesion”, kur në fakt nuk është i tillë.

Apo e bashkëngjiten me lajmin se Parkut Kombëtar i janë hequr më shumë se 800 hektarë për qëllime komerciale.

Këto janë vetëm disa nga gëlimet e “zhurmës” mediatike gjatë ditëve të fundit, të cilat kanë “heshtur” faktet.

Gërmimi i fakteve

Aktorët kryesorë, që janë nënshkrues në kontrata apo marrëveshje mes palëve, janë Ministria e Kulturës, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Instituti i Arkeologjisë (IA).

Këtë e dëshmon pikërisht protokolli i bashkëpunimit mes palëve, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Ai është firmosur nga përfaqësuesit e fondacionit, ministrisë dhe institutit, si palët e vetme në Menaxhimin e Butrintit.

Fondacioni, sipas marrëveshjes, do të ofrojë mbështetje financiare për projektet e IA-së, të cilat do të zhvillohen në zonën e “Pasurisë Kulturore”.

Njëra nga risitë e kontratës është prioriteti që do t’u jepet “arkeologëve shqiptarë”, në një sit që ka tërhequr më së shumti vëmendjen e arkeologëve italianë apo britanikë në të kaluarën.

Butrinti do të ketë, më në fund, një ambient të përshtatshëm për ekspozimin e “gjetjeve arkeologjike dhe historisë së gërmimeve”.

Kjo e fundit është menduar të vendoset në “qendrën e vizitorëve”, të cilës do t’i kthehemi sërish më poshtë.

Depozitimi dhe ruajtja e fondit arkeologjik do të zhvendoset në qytetin e Sarandës, duke iu referuar dokumentit, për të mundësuar ruajtjen e tyre.

Për të kuptuar dakordësinë mes palëve, mjafton të lexohet se fondacioni “do të konsultohet rregullisht me IA-në për çdo çështje që prek Pasurinë Kulturore dhe fushës së arkeologjisë”.

Në të kundërt, pika e fundit e bashkëpunimit lë të hapur mundësinë që palët mund t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Protokolli i bashkëpunimit mes Fondacionit dhe IA-së do të shkojë në parlament për t’u ratifikuar si ligj.

Faktet e “pazgavruara”

Duke iu kthyer përdorimit të termit “koncesion”, si “huq” më shumë skenik se gazetaresk, ajo që pritet të ndodhë në fakt në Parkun Kombëtar të Butrintit është “administrim për një periudhë 10-vjeçare”.

Gjatë së cilës, duhet theksuar se menaxhimi kryhet nga shteti shqiptar, përmes ministrisë dhe mekanizmave të saj të monitorimit (bordi).

Fondacioni do të ketë mundësi që të “thithë” edhe grante të tjera nëpërmjet partnerëve strategjikë – me daljen nga skema shtetërore.

Sa i takon investimit, për të cilin gjithashtu është bërë jo pak zhurmë, AADF-ja do të financojë me një grant deri në 5,5 milionë dollarë, nëse rakordohemi me shifrat e bëra zyrtare.

Investimi total për shtatë vitet e para është parashikuar të jetë 7 milionë dollarë.

Shteti shqiptar do të kontribuojë për pjesën e mbetur (2 milionë dollarë), të cilat gjenden në “arkën” e Butrintit.

Nga këto, 40 për qind do të shpenzohen për konservimin e parkut, ndërsa 60 për qind për përmirësimin e infrastrukturës.

Në të përfshihet edhe ngritja e një qendre të re vizitorësh, me një kapacitet për afro 300 mijë turistë.

Nëse i referohemi Planit të Menaxhimit të publikuar nga AADF-ja, kjo do të jetë nyja e planit që do të rregullojë vendqëndrimin e automjeteve për të shmangur pluhurin apo grumbullimin e njerëzve në afërsi të Butrintit.

Pra, me hyrjen e re për vizitorët do të krijohet një ndërlidhje mes shtigjeve – ose nga rruga tokësore ose përmes varkave – larg asaj aktuale.

Duke sjellë në vëmendje aludimin se 800 hektarët e resorteve ishin “rrëmbyer” nga territori i Parkut Kombëtar, Albanian Post zbulon se ato i takojnë vetëm “zonës së Ksamilit”.

Për këtë duhet t’i kthehemi VKM-së së datës 26 janar, e cila i takon Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, dhe jo Kulturës.

Zona, për të cilën bëhet fjalë nuk përputhet me A3 (Zona Arkeologjike), ku është ngritur dhe plani i biznesit i AADF-së.

Borde|ro

Një nga shtrembërimet e radhës të fakteve mbi Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit lidhet me bordin.

Në media u publikua akuza se ministrja (Elva Margariti), e cila është kryetarja e bordit për sa kohë është në detyrë, do të përfitonte dhjetëra mijëra dollarë nga investimet si pjesë e pagave.

Por, në fakt, asnjë anëtar i Bordit të FMB-së nuk do të paguhet, pasi shërbejnë në këtë detyrë “pa pagesë”.

Këtë e ka sqaruar pikërisht Margariti, përmes një komunikate zyrtare të ministrisë.

Bordi përbëhet nga pesë anëtarë, dy përfaqësojnë shtetin shqiptar, dy përfaqësojnë AADF-në, ndërsa i pesti do të jetë arkeologu i mirënjohur, Richard Hodges.

Albanian Post mësoi gjithashtu se njëri prej anëtarëve shqiptarë të bordit do të jetë edhe arkeologu Lorenc Bejko.

Pas nënshkrimit të protokollit të bashkëpunimit, FMB-ja do të caktojë më shumë se 500 mijë dollarë për kërkime shkencore në Butrint.

Ndërsa, 300 mijë dollarë të tjera – në formën e granteve – janë parashikuar për banorët, të cilët jetojnë në zonat përreth.

Investimet do të gjenerojnë, po ashtu, vende të reja pune, sipas përllogaritjeve të para bëhet fjalë për 110 të tilla, të cilat pritet të mbulohen nga Fondacioni.

Debat “i vjetër”

Prezantimi i draftit të Planit të Integruar të Menaxhimit të Butrintit do të prodhonte “përplasje” në distancë edhe në tetor të vitit 2019.

Më 15 tetor, drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, AADF, Michael Granoff i dorëzonte ministres Margariti draftin e planit.

Projekti i planit të menaxhimit do të hartohej nga firma prestigjioze britanike “Prince & Pierce” me një financim prej 250 mijë dollarësh nga AADF-ja.

Gjatë takimit, Granoff deklaroi se ky projekt ka qenë një ndër më afatgjatët ku ishte përfshirë fondacioni.

Ndërsa, zyrtarja shqiptare e konsideroi planin e menaxhimit – asokohe – si produkt të një bashkëpunimi 10-vjeçar me AADF-në.

Sipas saj, ai synonte të projektonte menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit gjatë dekadës që vinte.

“Ligji i ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë specifikon krijimin e fondacioneve të posaçme, ku Ministria e Kulturës është pjesë e fondacionit dhe është drejtuese e fondacionit”, shpjegonte që në atë periudhë Margariti.

Ligji i ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë u miratua në vitin 2018.

Ai parashikonte administrimin e pasurive kulturore në mënyrë direkte nga institucionet shtetërore, ose në formë indirekte nëpërmjet fondacioneve të posaçme.

Katër muaj më parë, qeveria shqiptare miratoi një vendim pikërisht për mirërregullimin e ligjit për Fondin Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore.

Sitet arkeologjike

Butrinti do të dilte “zbuluar” në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për periudhën 2016-2019.

Kjo, sa i takon ruajtjes, mbrojtjes dhe administrimit të siteve arkeologjike në Shqipëri.

Sipas raportit zyrtar, auditimi do të ushtrohej edhe në Njësinë e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Kombëtar Butrint.

Në Parkun Kombëtar të Butrintit kishte mungesë të ndjeshme vendesh parkimi për makinat dhe autobusët, me të cilat udhëtonin vizitorët.

“Çështja është diskutuar në të gjitha nivelet dhe duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare, duke qenë e përfshirë edhe në Planin e Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar Butrint 2020 – 2030”, shkruhet në raportin e institucionit.

KLSH-ja vërente gjithashtu se në Parkun Kombëtar Butrint problemi i radhëve të gjata në biletari ishte shumë i mprehtë dhe krijonte shqetësim te vizitorët.

Në Butrint, sipas raportit, kishte nevojë të restauroheshin shërbimet higjienike – sanitare te Kalaja dhe të instaloheshin nyje higjienike të reja, sikurse konstatuar dhe vënë në dukje kjo domosdoshmëri edhe në mbledhjet e Bordit Kombëtar të Parkut të Butrintit.

Vizitat

“Parqet arkeologjike janë më të vizituarit në Shqipëri”.

Kjo, sipas një raporti të Institutit të Statistikave të Republikës së Shqipërisë (INSTAT).

“Trashëgimia Kulturore” rezultonte si një nga preferencat më të zgjedhura për turizëm.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, numri i vizitorëve në parqet arkeologjike përgjatë vitit 2020 ishte 78 mijë e 552, nga të cilët 8 mijë e 234 persona rezultuan vizitorë të huaj.

Një zgjedhje tjetër e preferuar turistike, renditur në vendin e dytë, ishin kalatë dhe monumentet.

Po për të njëjtën periudhë, sipas të dhënave të INSTAT-it, 62 mijë e 627 persona i vizituan këto site, nga të cilët 13 mijë e 757 ishin shtetas të huaj.

Sa u përkiste preferencave të turistëve vendës dhe atyre të huaj, nga të dhënat e INSTAT-it rezultonte se parqet arkeologjike ishin objektet më të vizituara nga turistët vendas me 44 për qind.

Kurse, kalatë dhe monumentet, preferoheshin më së shumti nga turistët e huaj, në 43.1 për qind të rasteve.

Historiku i Butrintit

Tregimet moderne për qytetin e Butrintit u shfaqën për herë të parë në fillim të shekullit të 19-të: ndërmjet viteve 1789 dhe 1808.

Ali Pasha mundi t’i hiqte shumë territore kontrollit venecian, duke ndërtuar kështjellën e tij në grykën e Kanalit të Vivarit.

Si Franca ashtu edhe Anglia vendosën të nënshkruanin marrëveshje me të duke dërguar konsullin francez F. C. H. L. Pouqueville dhe kolonelin anglez W. M. Leake, të cilët botuan ditarët e tyre në vitet 1824 dhe 1835 duke përmendur për herë të parë, pas shumë vitesh, qytetin e Butrintit.

Megjithatë, vetëm në fund të viteve 1920, Luigi Maria Ugolini, kreu i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, i cili filloi në vitin 1925 i mbështetur nga Musolini, e rizbuloi zyrtarisht qytetin nga viti 1928 deri në 1935.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Butrint filluan kërkimet e reja nën drejtimin e Hasan Cekës, babait të arkeologjisë shqiptare, me bashkëpunimin e Dhimosten Budinës, Kosta Lakos, Dhimiter Çondit, Selim Islamit dhe Skender Anamalit dhe nga viti 1982 deri në vitin 1986, Astrid. Nanaj.

Butrinti u shpall pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1992.

Nga viti 1993 deri në vitin 2012, Richard Hodges, me mbështetjen e Fondacionit Butrint, drejtoi një fushatë të re të rëndësishme në qytet, duke u fokusuar veçanërisht në historinë bizantine dhe mesjetare të zonës.

Skllevër ‘mediatik’ 

Shumica e mbishkrimeve të gjetura në Butrint mendohet të jenë dokumente në gur që lidhen me lirimin e skllevërve, shumë prej të cilëve ishin femra.

Në total janë 597 skllevër të liruar, shumica e të cilëve u liruan duke përdorur një kombinim midis formulave civile dhe fetare.

Shumë skllevër u liruan nga të njëjtat familje, gjë që sugjeron ekzistencën e pronarëve të mëdhenj, të cilët kontrollonin zonën e Butrintit.

Mbishkrimet shpesh tregonin familje të tëra nga dy deri në tetë individë që merrnin pjesë në ritualin e lirimit të një skllavi.

Skllevërit sot e kësaj dite mbeten të pranishëm jo në Butrint, por përbri tij.

Për të liruar dezinformacionet që nuk qëndrojnë kur nuk ka asnjë interes në një sit arkeologjik që ishte harruar ‘katërçipërisht’, duhen faktet dhe dëshira apo vullneti i mirë.

Kjo, ndaj një siti që ka vlera të jashtëzakonshme dhe që mund të gjenerojë më në fund të ardhura ‘konkurruese’ për staturën historike.

/Albanianpost.com