Adrian Gurma takim me ambasadorin Durmishi: Kosova vjen në Sarandë, në detin e vet
Fryma falenderuese që shqiptarët e Kosovës mbeten në çdo situatë preferues të Sarandës për pushimet e tyre, ishte zotëruese në takimin mes Kryebashkiakut Adrian Gurma dhe ambasadorit të Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi.
Kreu i Bashkisë Gurma rikonfirmoi se shqiptarët e Kosovës vitalizuan turizmin tonë edhe në kohë të vështira si ato nën pandemi. Ai u shpreh falenderues që sllogani “Pusho shqip” nisi si apel dhe u bë realitet.
“Ne jemi të privilegjuar për këtë realitet, pasi bregdeti shqiptar është i gjerë, por zgjedhja e Sarandës është bërë kur ka edhe alternativa të tjera. Prandaj ne themi se Kosova vjen këtu në detin e vet”, vlerësoi Gurma.
Ambasadori Durmishi tha se “Me rolin tonë koordinues, duhet t’i japim më shumë përmbajtje Sarandës edhe në komponentë të tjerë, si: me takime sportesh, poetësh, biznesesh etj”. Ai kërkoi që ambasada e Kosovës në Tiranë të konsiderohet pjesë e këtij partneriteti.
Biseda mes kreut të Bashkisë Gurma dhe ambasadorit Durmishi u zhvillua në atmosferë të ngrohtë e vëllazërore, për më të mirën e marrëdhënieve mes Sarandës e komunave të Kosovës në çdo fushë.
Bashkia e Sarandës do të jetë së shpejti e pranishme me “Ditën e Sarandës” në Prishtinë dhe me një tur vizitash në komunat e binjakëzuara, si: Gjakova e Suhareka.