Një urim për Pashkët Katolike, shumë admirim për punën e motrave italiane

Në vigjilje të Pashkëve Katolike, Kryebashkiaku Adrian Gurma shkoi në Qendrën Sociale “Marcelina”, në qytetin e Sarandës, ku uroi për Pashkë të Gëzuara, Motër Daniela Silvestrinin e bashkëpunëtoret e saj.

Ato treguan për atmosferën e festës së Pashkëve që janë duke përgatitur.

I gjithë mjedisi i brendshëm dhe i jashtëm i kësaj Qendre Sociale është impresionues dhe jep modelin e një pune të admirueshme që bëhet, për të realizuar edukim cilësor me fëmijë të moshës parashkollore.

Si dëshmi të punës cilësore që bëjnë Motrat italiane dhe stafi, megjithëse modest, janë dhjetëra objekte interesante, realizuar me materiale të ricikluara, veshje karakteristike për vajza e djem, laboratori i materialeve që përdoren në festa, rrobaqepësia, salla multimediale, kopshtet me perime, të mbjella edhe nga vetë fëmijët, biblioteka e pasur etj.

Impresionuese dhe me impakt të jashtëzakonshëm në komunitet, është ajo që bëhet nfa k institucion social, për të asistuar 53 fëmijë, nga qyteti i Sarandës, Berdeneshi etj., kryesisht të spektrit autik dhe me zhvillim të prapambetur.

Kryetari Gurma u shprehu mbështetjen personale dhe të institucionit të Bashkisë për çuarjen përpara të kësaj pune të mrekullueshme, sipas normave dhe standartit të kulturës italiane të punës. Duke falenderuar Motrat e Qendrës “Marcelina” për punën e veçantë e plot produktivitet që bëjnë. ai i ftoi që, me objektet e realizuara me material të ricikluar, të bëhen pjesë integrale e Javës “Saranda Riciklon” nga 18-23 prill, si dhe të prezantohen me pavionin e tyre në ekspozitat materiale në eventin e çeljen zyrtare të sezonit “Verë 2022”.