Margariti pas debatit me deputeten e Sarandës: Akt brutal, nuk ka marrëveshje sekrete për Butrintin

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti reagoi sot lidhur me debatin në Komisionin Parlamentar të Edukimit, me deputeten e Partisë Demokratike, Ina Zhupa duke e cilësuar “një akt brutal, i cili nuk ka të bëjë me kostumin politik, por me statusin e qytetarisë në mjedisin publik”.

Margariti tha se “sot publikut iu servir një “spektakël” i shëmtuar gjatë një seance dëgjimore në Kuvend, për një çështje me rëndësi strategjike si ajo e mirëmenaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit. Si grua dhe si nënë, nuk e di se me çfarë guximi do të kthehesha në shtëpi, nëse do ta dija se ime bijë apo çdo bashkëmoshatar i saj do të më kishte parë në ekran, duke shkulur mikrofonë e duke i rënë tavolinës me grushte! Nuk arrij dot ta vendos veten në pozicionin e një gruaje tjetër, që abuzon me besimin e dhënë si përfaqësuese e një komuniteti, duke harruar se në radhë të parë është një figurë publike dhe detyrimisht një shembull publik”.

Ministrja Margariti theksoi se “të zgjedhësh forcën e dhunës në vend të forcës së fjalës dhe në vend të argumentit të zgjedhësh ulërimat, kjo fatkeqësisht ndodh në mjedisin tonë publik, por kur këtë e bën një grua kjo të le pa frymë dhe pa fjalë”.

Gjithsesi, vijoi Margariti, si ministre Kulture do të doja të siguroja çdokënd se nuk ka asnjë marrëveshje sekrete për të shitur Butrintin.

“Ka qenë dhe do të jetë pronë e shtetit shqiptar, madje edhe përtej pretendimeve të një pronari që një parti tjetër ia njohu Butrintin si trashëgimi familjare! Ministria e Kulturës do të jetë gjithnjë e hapur për të dëgjuar, reaguar, korrigjuar, ngritur ura dhe shembur mure paragjykimi, duke besuar në forcën e dialogut, mirëkuptimit dhe transparencës!

Personalisht ndihem keq për institucionin, për publikun që e pa atë skenë, për kolegët pa dallim. Por ndihem mirë, sepse edhe disa kolegë të opozitës më shprehën keqardhjen e tyre për “spektaklin”, jo për mua”, tha Margariti.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, diskutoi sot projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”. Por gjatë diskutimeve, deputetja e PD-së, Ina Zhupa i kërkoi drejtuesit të Komisionit Petro Koçit, që të mos i jepte fjalën ministres së Kulturës, Elva Margariti duke i hequr edhe mikrofonin.