Lulëzon turizmi, INSTAT: Numri i vizitorëve u rrit me 51%, interes nga Kosova, Italia dhe Gjermania

Turizmi në Shqipëri edhe gjatë muajit Shkurt ka pasur një rritje të numrit të vizitorëve. Sipas INSTAT vizitorët janë rritur me 51,2 %, në krahasim me Shkurt 2021. Numri i vizitorëve rezident është rritur me 73,1 % ndërsa  vizitorët jo-rezident është rritur me 23,7 %. Sipas publikimit të INSTAT, turistët e huaj më të shumtë gjatë muajit Shkurt janë nga Kosova, duke pësuar një rritje me 8,7% në krahasim me të njejtën periudhë të një viti më parë, pastaj renditen shtetasit italianë me një rritje prej 8,3% dhe më pas janë shtetasit nga Gjermania, Anglia dhe Maqedonia e Veriut.

Përmirësim  kanë pësuar edhe treguesit e tjerë të shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese.

Numri i netë-qëndrimeve gjithsej është rritur me 86,4%, në krahasim me Shkurt 2021. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm, numri i netë-qëndrimeve nga rezidentë është rritur me 76%  por rritjen më të madhe e kanë netët e qëndrimit nga të huajit të cilat janë dyfishuar në krahasim me një vit më parë duke u rritur me 98%.

Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 8,8 %, kundrejt 6,2 % që ishte në muajin Shkurt 2021. Pavarësisht kësaj rritjeje në dy muajit e parë të vitit, operatorët turistikë kanë ngritur shqetësimin se për shkak të luftës në Ukrainë, gjatë sezonit veror Shqipërisë pritet t’i mungojnë 150 mijë turistë nga Ukraina, Bjellorusia Dhe Rusia.