Jahti kroçerë “Emerald Azzura” në Sarandë, Alket Qendro: Do të ndalojë gjatë gjithë sezonit
Jahti kroçerë “Emerald Azzura” me 76 turistë vizitoi sot portin e Sarandës.
Drejtori i Portit të Sarandës, Alket Qendro, tha sot për ATSH-në se “ky jaht ka mbërritur në orët e para të mëngjesit me 76 turistë, që kanë zbritur për të vizituar Sarandën dhe Gjirokastrën”.
“Jahti do të qëndrojë gjithë ditën dhe në mbrëmje vonë do të largohet për në Kroaci”, tha Qendro.
Sipas tij, jahti me flamur të Ishujve Bahamas ka një gjatësi prej 110 metrash, gjerësi 16 metra dhe peshë 5300 GT.
“Ky jaht ka zgjedhur Sarandën, përveç destinacioneve të tjera në Mesdhe, për të ndaluar dhe vizituar nga turistët që do të ketë në bord, për gati gjithë sezonin turistik 2022”, shtoi Qendro.
Jahti kroçerë është një model i ri prodhuar në Vietnam, në kantierin Ha Long Shipyard në villim të vitit 2022 dhe hedhur në ujë për herë të parë në shkurt të këtij viti, është inauguruar në mars nga Kompania “Emerald Cruises”. Ai ka një kapacitet prej 100 pasagjerësh, 64 personel dhe 50 kabina.
Saranda pritet të ketë këtë vit një sezon shumë të mbarë turistik. Në portin e Sarandës fundjavën që lamë pas mbërriti kroçera “Silver Moon”, 213 metra e gjatë dhe 30 metra e gjerë, me 387 turistë në bord dhe flamur të Bahamas.