“Gurra Folk Festival”, këngë e valle polifonike në Parkun Arkeologjik të Butrintit
Dita e djeshme ishte krejt e veçantë në Parkun Arkeologjik të Butrintit.
Skena e Amfiteatrit të gurtë antik, si asnjëherë më parë u kthye në një skenë me këngë e valle tradicionale nga disa prej shkollave të mesme të qarkut të Vlorës.
Organizuar nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Zyrat Vendore të Arsimit, Edicioni IV i “Gurra Folk Festival” bëri bashkë në Butrint gjashtë shkolla të mesme nga Vlora, Saranda, Delvina, Konispoli, Ksamili e Finiqi.
Rreth 200 nxënës, vajza e djem të veshur me kostume popullore tradicionale “pushtuan” me këngë e valle polifonike tempullin e lashtë mijëra vjeçar të Butrintit të mahnitshëm.
Skena e mësuar në shekuj me dramat dhe tragjeditë shekspiriane u kthye sot në një minikala Gjirokastre e ku magjishëm u bënë bashkë e folën me një zë trashëgimia kulturore materiale me atë shpirtërore.
Një demonstrim i shkëlqyer i vlerave të trashëgimisë shpirtërore nga të rinjtë shkollarë, falë interesimit dhe punës së stafeve të shkollave të cilët edukimin përmes kulturës e realizojnë përmes dukurive e vlerave të qenësishme kombëtare.
Sejemen Gjokoli, specialist i trashëgimisë kulturore në DRTK Vlorë tha se, “aktiviteti i sotshëm tregoi edhe një herë se trashëgimia jonë shpirtërore mbetet një vlerë e pa tjetërsueshme por edhe e transmetueshme nga të rinjtë në se bëhet pjesë e kurrikulave shkollore por edhe fokus e vizion i institucioneve shtetërore të kulturës”.
Butrinti tregoi njëherazi se institucionet përmes bashkëpunimit për realizimin e veprimtarive konkrete realizojnë modele që lënë gjurmë në breza e për breza.
Pjesë e jurisë të këtij festivali ishte drejtori i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Istref Dobi dhe drejtoresha e ZVA Sarandë, Majlinda Mavro.
Juria shpalli shkollat fituese si më poshtë:
Vendi i parë:
Shkolla e mesme “Bido Sejko”, Konispol
Vendi i dytë:
Shkolla e mesme “Jani Minga”, Vlorë
Shkolla e mesme “Lefter Talo” Livadhja
Vendi i tretë:
Shkolla e mesme “Sulejman Delvina”, Delvinë
Shkolla e mesme “Hasan Tahsini”, Sarandë