FOTOT/ Për dy fëmijë ukrainas, shkolla “9 Tetori” është shkolla e tyre

E sotmja do të mbahet mend si dita e integrimit në jetën shkollore të dy fëmijëve të familjes Kravchenko nga Ukraina. Oleksandra 8 vjeç dhe Mykhailo 10 vjeç, e patën ditën e parë të mësimit në shkollën “9 Tetori” të Sarandës, e cila hapi dyert dhe zemrat për ta.

Gjithçka nisi pasi Avokat Besnik Hado iu drejtua duke prezantuar në adresën e Bashkisë së Sarandës, nevojën për shkollim të fëmijëve të ardhur e të akomoduar në Sarandë pasi i ikën situatës së luftës në Ukrainë.

Falë bashkërendimit të përpjekjeve të institucionit të Bashkisë dhe Kryetarit Adrian Gurma e kabinetit të tij, me Zyrën Vendore Arsimore të Sarandës, me Ministrinë e Arsimit e Sporteve për trajtimin e rastit dhe falë komunikimit me drejtorinë e shkollës “9 Tetori”, u krijua aksesi që dy nxënësit ukrainas të mund të vijojnë mësimet në Sarandë, pavarësisht luftës që vazhdon në atdheun e tyre.

Por kjo do të ishte e pamundur, pa sensibilizimin e mësueses Eli Nini, e cila vendosi vullnetarisht të kthehet sërish nga pensioni në shkollën “9 Tetori”, ku ka nisur të japë mësime në gjuhën ruse për Oleksandrën dhe Mykhailo.