Deputetja e Sarandës, Zhupa iu bashkua Berishës: Akti im shkon drejt një bashkimi

Kuvendit të sotëm Kombëtar të Partisë Demokratike iu bashkuan sot vetëm dy nga deputetët e papozicionuar në krah të liderit historik të demokratëve. Fjala është për Kasem Mahmutaj dhe Ina Zhupa

Kjo e fundit ish-zëdhënëse e PD në kohën e drejtimit të Lulzim Bashës, njeri i afërt me të. Duke folur para gazetarëve, kur mbërriti në Pallatin e Koncerteve, deputetja e Sarandës nënvizoi:

“Unë marr pjesë në këtë Kuvend jo për t’u konsideruar si palë me një grup apo tjetrin, por për të bërë një akt nga ana ime në drejtim të bashkimit dhe në respekt të demokratëve që ndodhen në këtë Kuvend.

Një pjesë e të cilëve janë edhe nga dega e Sarandës dhe votues të PD. Sigurisht që ky nuk është akti i fundit, sepse bashkimi është proces dhe ai duhet ndjekur hap pas hapi”.

Ish-ministri i PD, Arben Imami, nënvizoi nga ana e tij: “Anëtari i partisë është themeli i partisë. Për herë të parë u thirr një Kuvend nga anëtarët e Kuvendit. Referendumi i dhjetorit ishte një ngjarje historike për politikën shqiptare, ku anëtarësia mori vendime”.

“Ish-kryetari bëri spastrimin e partisë nga nivelet më të ulëta deri te ato më të larta. Zgjedhjet e kontrolluara, të manipuluara dhe të falsifikuara për kryetarin e PD në 2017-ën dhe 2021-shin, pas shkeljeve të vazhdueshme statutore, ishin një turp.

E kundërta ndodhi në referendumin e dhjetorit. Anëtarët dolën masivisht në votime pasi menduan se vota e tyre ka rëndësi. Me garë të lirë mund të fitojmë partinë tonë. kjo duhet të jetë rruga jonë për ringritjen e PD-së.

Por nuk mjafton vetëm pjesëmarrja, por duhet të synojmë përfaqësimin e qytetarëve. Ka njerëz me kontribute dhe partia duhet të jetë e hapur për ata. Natyrisht sa më të rinj, aq më mirë. Të mos mbetemi me formulime të rinj dhe të vjetër, se ato janë parulla të OJQ-ve.

Krahas kësaj hapje të vazhdueshme, mendoj se është vendimtare mbajtja dhe ruajtja e palcës së partisë, e historisë dhe traditës së saj më të mirë. Partia nuk ka nevojë të rishpiket. Nuk jemi për konservatorizëm që nuk pranon asnjë ndryshim, por jemi për një konservatorizëm modern. Po ndryshimit, por jo çdo ndryshimi. Me gjithë respektin për çdo gjë, babai dhe nëna nuk ndryshojnë, burri dhe gruaja nuk ndryshojnë”.