Thoma Nika: Turizëmi i ndikuar nga era e luftës

Nga Thoma Nika

Sot…

Nisja e kësaj jave të re dje dhe e muajit mars sot, megjithëse me pak vështirësi, me diellin që del e fshihet, me temperatura që ulen e ngrihen dhe me retë që akoma janë pjesë e peizazhit tonë, gjithësesi, po e tregojnë se pranvera nuk është larg.

Dhe kur themi pranverë, për Sarandën dhe Ksamilin, kjo është si paradhoma e verës dhe parathënia e turizmit. Nuk diskutohet që turizmi i kësaj vere, do të jetë i ndikuar edhe nga era e luftës në Ukrainë. Ndikimi më i parë i pritshëm është mungesa e turistëve nga Ukraina dhe nga Rusia, që vitin e kaluar patën shtim të dukshëm, por edhe rënia e numrit të polakëve, për shkak të fqinjësisë me zonën e agresionit.

Nga të tre këto vende, Saranda rregjistronte një treg të konsiderueshëm turistik, i cili është e kuptueshme që do të zbehet dukshëm, sipas agjencive tona turistike këtu. Kjo situatë e re i ka bërë më aktive agjencitë tona, për të shtuar komunikimin me homologë të tyre në Kosovë e në gjithë hapësirën shqipfolëse. Ndërkohë, shpresohet se, duke lënë pandeminë prapa, do të kemi një rikthim të turizmit të kroçerave, të paralizuar dy sezonet e fundit dhe riaktivizim të turistëve nga vendet skandinave.

Sigurisht që puna për qytet dhe Bashki të pastra, vazhdon dhe është përparësi në përgatitjen për sezonin e ri. Por kjo fundjavë dhe fillimi i javës së re, ditën e djeshme, ka pasur një vëmendje të shtuar edhe për të rigjeneruar gjelbërimin në Sarandë e në Ksamil. Është parë të vihet dorë në gjelbërimin dekorativ në lulishtet e Sarandës, në palma dhe në krasitjen përtëritëse që u bëhet pemëve dekorative, pasi tani është edhe stina, kur kudo kryhen krasitje.

Prej tri ditësh, pra, më 27 shkurt, është mbyllur afati i aplikimeve online për stacionet e plazhit. Një proces ky i kryer më herët se çdo vit tjetër. Tani do të duhet të pritet një 10-ditësh për miratimin ose jo të tyre, në mënyrë që subjektet sipërmarrëse të nisin ndërhyrjet restauruese në sipërfaqet, për të cilat do të kontratohen. Përfundimi i këtij procesi herët, konfirmon se edhe sezoni do të nisë më herët se çdo vit paraardhës.

Ndërkohë që edhe situata me virusin është dukshëm e përmirësuar, në numra pranë zeros. Kjo kohë po përdoret për të përmirësuar tani edhe treguesit e mbulesës vaksinale, sidomos të stafeve hoteliere, që do të shërbejnë këtë verë.

Javën e kaluar fola për një takim të organizuar në Livadhja me struktura të policisë, me administratorë e me kryetarë fshatrash, për të forcuar kontrollin e parcelave dhe për të minimizuar mundësitë për kultivimin e bimëve narkotike. Këtë javë lajm ka bërë një shtetase amerikane, e cila është arrestuar sepse posedonte drogë. Komunikata policore thotë se ky arrestim u bë nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Njësinë Speciale Policore “Joint Shield”, si dhe me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë/Zyra e Hetimeve Kriminale (DSS/OCI e Ambasadës Amerikane në Shqipëri). Shtetasja amerikane 44 vjeçe, është prej 3 vitesh banore e Sarandës.

Të reja ka edhe nga fusha e sportit. Kam treguar për shahun, për futbollin dhe notin. Por një tjetër sport po rilind në Sarandë. Ky është basketbolli, që ka përfshirë mosha fëminore dhe adoleshentët. Si një sipërmarrje private në këtë fushë, është krijuar Shoqata “Saranda”, e cila ka sjellë si produkt ekipe U 14 të djemve dhe vajzave basketbolliste. Testi i tyre më i ri ishte kompeticioni në Durrës, në kampionatin e U 14, ku morën pjesë “Galaktikët” e Tiranës, “Goga-Basket” e Durrësit, Elbasani dhe Saranda. Kampione u shpall pikërisht fanela e “Butrintit”.

Për këtë sipërmarrje dhe këtë rezultat në sportin e basketbollit, fëmijët dhe trajnerët janë pritur ditën e djeshme nga Kryebashkiaku Adrian Gurma, i cili ka shprehur mirënjohjen e tij për faktin që ata po plotësojnë mozaikun e sporteve të preferuara të sarandiotëve: notin, futbollin e shahun, duke prekur edhe emocione kampionësh në shkallë vendi.

Ndërkaq, vijnë lajme të mira nga shahistët tanë pjesëmarrës në Turneun e Hapur Ndërkombëtar të Shahut në Konjic të Bosnjë-Hercegovinës, një turne që ka nisur të shtunën dhe mbylllet ditën e sotme. Nga Shqipëria marrin pjesë 18 shahistë nga Akademitë e Shahut: “Butrinti”, “Teuta” dhe “Partizani”. Siç e kam thënë, Butrinti përfaqësohet nga kampioni Erald Mihasi dhe kampionët kombëtarë për moshat: Eklea Omeri dhe Kelvin Kosta. Në mbyllje të ditës së sotme do të mësohet më shumë për performancën e tyre. Por një gjë është e sigurt: që ky turne do të shërbejë shumë për ngritjen e nivelit te tyre shahistik dhe për përmirësimin e koeficientit Elo.

1 mars 2022