Sarandë, kryebashkiaku Gurma: Paketë të përbashkët turistike me bashkitë e tjera

Saranda, është një qytet i markës turistike që ka në fokusin aktual të zhvillimit përmirësimin e infrastrukturës dhe vizionin e një turizmi të integruar, duke e diversifikuar ofertën tradicionale me zgjerimin dhe aksesimin e të tjera destinacioneve në bashkitë fqinje jugore po edhe më ato kufitare të Greqisë fqinje.

Ndërkohë grupet e para të turistëve për 2022-shin janë regjistruar tashmë me vizitorët nga Kosova.

Gjatë një interviste dhënë për ATSH-në kryebashkiaku i Sarandës Adrian Gurma përmendi se rruga që lidh zonën e re urbane në afërsi të Lëkurësit me Kanalin e Çukës, do të bëhet shumë shpejt e aksesueshme pasi po punohet me ritme të optimale.

Ai e shikon këtë një mundësi që me përfundimin e investimit, “do të rrisë ndjeshëm edhe vlerën e aseteve dhe pronave të qytetarëve pranë saj.

“Një përfitim më i madh do të jetë edhe në lehtësimin e trafikut dhe lëvizshmërisë në qytet një problematikë e trashëguar kjo ndër vite në Sarandë-tha Gurma.

Gurma u shpreh se rruga Lëkurës-Kanali i Çukës ka edhe një qasje të re panoramike për qytetin dhe do të jetë një vlerë e shtuar si atraksion.

Sa i përket përmirësimit të furnizimit me ujë të qytetit turistik dhe mirë menaxhimit të situatës gjatë vitit të kaluar, Gurma e konsideroi një nga sfidat kryesor të institucionit që drejton.

Ai shprehet se “është shumë e rëndësishme që të sigurojmë furnizimin me ujë, pa ndërprerje të qytetit si një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme”.

”Ne kemi paraqitur tashmë projekt idenë për furnizimin e Sarandës nga burimet e Tatzatit për zgjidhjen e përhershme  të problematikës së ujit të pijshëm dhe shpresojmë të kemi një zgjidhje për realizimin e këtij projekti madhor”, vuri në dukje kryetari i bashkisë.

Gjatë vitit të kaluar Sarandën dhe rajonin e saj e frekuentuan mbi mbi 700 mijë turistë vendas dhe të huaj.

Lidhur me nevojën e shtimit të hapësirave për parkime publike, kryebashkiaku Gurma u shpreh se krahas menaxhimit më të mirë të trafikut dhe plotësimit me sinjalistikë rrugore, ideja e në parkingu nëntokësor po studiohet si një zgjidhje.

Saranda e ka të konsoliduar tashmë me një vendim lokal praktikën e ofrimit të plazheve publike pa pagesë në krejt pjesën paralele më shëtitoren e re të qytetit dhe kjo, i favorizuar të gjithë pushuesit vendas ose të huaj.

Lidhur me përpjekjet për t’i shtrirë eventet kulturore e sportive gjatë gjithë kohës së sezonit turistik, Gurma përmendi se në buxhetin e vitit 2022 është mbajtur parasysh një kalendar i eventeve kulturore artistike e sportive, lokale kombëtare si Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Butrint,  panaire kombëtare dhe ekspozita të arteve figurative të shtrira përgjatë gjithë vitit.

”Kalendari i këtyre eventeve do të afishohet se shpejti në mjediset publike të qytetit”, u shpreh Gurma.

“Jemi të prirur që e gjithë periudha turistike dhe jo vetëm të mbulohet nga aktivitete artistike, kulturore e sportive ashtu sikurse ishin vitin e kaluar, “Kolonia e Piktorëve”, ekspozita e karikaturistit të mirënjohur Bujar Kapexhiu, netët e “Folkut”, me koncerte me këngëtar të spikatur, etj”, tha Gurma.

Turizmi i integruar

I pyetur rreth turizmit të integruar inicuar si nismë nga vetë ai, pak ditë më parë me bashkinë fqinje të Finqit, kryetari i bashkisë Sarandë Gurma u shpreh se, “ka qenë një ide e kahershme e imja që turizmin ta shtrijmë jashtë kufijve administrativë të Sarandës për të integruar e angazhuar edhe fqinjët tanë, si alternativë për të tejzgjatur qëndrimin e turistëve”.

Në përgjigje të pyetjes sesi do të materializohet praktikisht ky turizëm i integruar rajonal Gurma theksoi se “Saranda është pika kulminante e turizmit për rajonin, si përsa i përket bukurive natyrore ashtu dhe veprave historike kulturore. Por duhet që përtej pjesës turistike, ne ta aksesojmë turistin edhe me atë çka ai nuk e gjen në territorin e Sarandës dhe ku më mirë se me bashkëpunimin me bashkitë fqinje mund të realizohet kjo”.

“Ne e filluam më një bashkëpunim me bashkitë e Finiqit, ku turisti mund të gjeje alternativa të tjera si agroturizmin dhe vlera të tjera arkeologjike, turizmin kulturor, atë të religjionit, të natyrës dhe aventurës, etj,. Jemi të konceptit se ky bashkëpunim  do të jetë i suksesshëm pasi stafet tona u angazhuan për materializimin e një memorandumi që do të pasohet me një forum gjithëpërfshirës ku do të përfshihen edhe bashkitë e tjera si ajo e Delvinës, Konispolit, Himarës, -tha ai,- po objektivi ynë është që të integrojmë në një paketë si kjo, edhe Qarkun e Gjirokastrës që me rrugën e re Kardhiq-Sarandë, që shpresojmë të jetë e aksesueshme për sezonin 20022, turisti që vjen në Sarandë, do të prekë shumë shpejt Finiqin, Delvinën, Konispolin, Gjirokastrën dhe Përmetin, Tepelenën , Kurveleshin, Libohovën, etj”, vuri në dukje Gurma.

“Mendojmë se përfitimi i kësaj pakete të diversifikuar, do të jetë jo vetëm shkëmbim i përvojave, por edhe tejzagjatja në kohë e ditëve që turisti planifikon të qëndrojë në rajonin e Sarandës. Nëse një turist planifikon të qëndrojë 3-4 ditë në Sarandë, ai do ta zgjerojë kohën e qëndrimit me këtë ofertë të larmishme dhe atraktive”, u shpreh Gurma për ATSH.