Parku arkeologjik i Finiqit: Destinacioni i ri i zbuluar gjatë pandemisë

Parku arkeologjik i Finiqit, dikur qendra e Kaonisë e që prej vitit 234 p.k kryeqendra e Epirit, është vendosur mbi një kodër 283 m mbi nivelin e detit me pozicion strategjik dhe me fushëpamje mbi gjithë luginën e Vurgut, deri në liqenin e Butrintit.

Qyteti antik ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike të kohës. Parku është mes atyre destinacioneve që vizitorët shqiptarë filluan ti zbulojnë përgjatë pandemisë edhe për shkak të pamundësisë për të udhëtuar jashtë vendit.

Gjatë vitit të kaluar parku i Finiqit ka shitur jo më shumë se 1000 bileta ndërsa potenciali është që ky numër të jetë të paktën 100-fish më i madh.

Parku Arkeologjik i Finiqit, vetëm 8 km larg Sarandës, me një sipërfaqe prej 57 ha dhe zonë arkeologjike prej 150 ha u krijua në vitin 2005. Gërmimet e viteve të fundit konfirmuan datimin e tij që prej shek V p.k. ndërsa të vizitueshme janë teatri, agoraja, rrënojat e një bazilike paleokristjane, tempujt, muri rrethues, banesat, vilat.

Megjithatë modeli i zgjedhur për menaxhim vijon ta lerë këtë pasuri jashtë vëmendjes. Edhe rruga e investuar vitet e fundit vijon të jetë e pakalueshme për autobusët, ndërsa në hyrje të parkut nuk ka asnjë shërbim për vizitorët.