Paralajmërimi i Ramës: Do marrim në dorë shpërndarjen e naftës, qeveria do të hyjë në bordin e furnizimit
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shteti nuk do të lejojë abuzimin me çmimin e naftës, duke paralajmëruar se qeveria do të hyjë në bordin kombëtar të furnizimit me karburant të shqiptarëve.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se do të bëhet transparencë e plotë për çmimet, duke deklaruar se edhe në vendin tonë ka filluar reflektimi për uljen e çmimeve.
“Edhe në Shqipëri çmimet po bien dhe do ta adresojmë në atë mënyrë që thashë. Do të bëjmë transparencë të plotë për çmimet.
Për çmimet që vendosen çdo ditë do të marrim në dorë bordin, do të hyjë qeveria në bordin kombëtar të emergjencës për furnizimin me karburant në këtë fazë lufte dhe askush nuk do të mund të bëjë asnjë spekulim dhe të nxjerrë asnjë qindarkë më shumë.
Por duhet të kemi parasysh edhe diçka tjetër, jemi në fillim të një gjëje që nuk e dimë se si do të zhvillohet, që do Zoti do të mbyllet shpejt por gjëja më e rëndë që kemi përpara, është mungesa fare e naftës dhe e energjisë.
Do të vazhdojmë me një akt normativ që Qeveria do të hyjë drejt për drejt në bordin kombëtar të furnizimit me karburant të shqiptarëve”, tha Rama.
Rama ka bërë një propozim ndryshe shoqëruar edhe me ironi për protestat ndaj rritjes së çmimit të naftës.
Ai u është drejtuar shqiptarëve se a duan që të heqë taksën e naftës dhe ta vendosë tek rrogat ashtu siç e ka Maqedonia e Veriut dhe Kosova, sipas tij.
Apo edhe Gjermania që sipas Ramës gjysma e pagës u shkon për taksa.
“Ka një arsye përse i kemi zero taksë për biznesin e vogël, ndryshe nga sa ndodh në Maqedoninë e Veriut që paguajnë 10 për qind.
Nuk them se zgjidhja jonë është e përsosura. Cilat taksa qenka më të larta në Shqipëri se në vendet e tjera. Cilat? Pikërisht se kemi rroga më të ulëta dhe lëreni atë rroga në Shqipëri 300 mijë lekë, që është minimalja.
Dhe ka një pjesë të njerëzve që ka një rrogë minimale 300 mijë lekë, por ndërkohë qeveria subvencionon energjinë me 45 mln çdo vit për familjet që kanë të ardhur të ulëta. Nuk është rroga mesatare 300 mijë lekë në Shqipëri. Taksa mbi rrogat dhe biznesin e vogël janë të ulëta.
Ta kthejmë në invers? Ta heqim taksën tek nafta dhe t’ju vendosim taksë mbi pagën siç e ka Maqedonia e Veriut, apo siç e ka Kosova, se nuk po flas për Gjermaninë që gjysmën e pagës e kanë taksë se llogaritë e të tjerëve bëhen kollaj”, tha Rama.