Margariti uron aktoren nga Saranda për ditëlindjen: Me fat që të kemi

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka uruar sot aktoren e madhe, Luiza Xhuvani për ditën e lindjes.

Margariti e shoqëron urimin për aktoren Xhuvani me një video gjatë aktivitetit të organizuar tre ditë më parë te instilacioni “Reja” ku së bashku me aktorin Ndriçim Xhepa, interpretuan krijimet më të bukura të poetëve Fatos Arapi dhe Frederik Reshpja.

“Gëzuar ditëlindjen Luiza Xhuvani. Me fat që të kemi”, shprehet ministrja.

Luiza Xhuvani ka lindur më 26 mars të 1964 në Sarandë. Pas mbarimit të studimeve për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, më 1986, dhe pas një përvoje dyvjeçare në Estradën e Sarandës, Luiza Xhuvani filloi punë në Teatrin Popullor.

Kur ishte akoma studente, luajti në filmin “Dhe vjen një ditë”, dhe më pas të filmi “Flutura në kabinën time” të Vladimir Priftit, me të cilin fitoi edhe çmimin për “Aktoren më të mirë” në Festivalin e vitit 1985.

Nëpërmjet këtij roli, që shënon edhe startin e saj të suksesshëm, Xhuvani shfaqi një natyrë njerëzore si të ndrojtur, por fisnike e të çiltër, me sy të ëmbël, të pafajshëm, mbushur me mirësi.

Një prej aktoreve më të preferuara dhe të dashura për publikun shqiptar, Luiza Xhuvani ka luajtur disa role si, “Fjalë pa fund” (Magdalena) i S. Pecanit, “Hetimi vazhdon” (Hetuesja), “Rrethi i kujtesës” (Mbesa) i E. Musliut, “Muri i gjallë” (Rozafa) i M. Fejzos. Nga viti 1991 e në vazhdim ka një bashkëpunim të suksesshëm me regjisorin Gj. Xhuvani, nën drejtimin e të cilit interpreton në filmat “Bardhë e zi”, “Një ditë nga një jetë”, “Dashuria e fundit” (Mirjana), me të cilin fiton përsëri Kupën në Festivalin X të Filmit, më 1995, “Funeral Business” (Sana), me të cilin u shfaq në Festivalin e Venecias në vitin 2000, “Parullat” (Diana), me të cilin fiton Çmimin Aktorja më e mirë e Festivalit të Tokios 2003 dhe filmi “I dashur armik” (2004).

Në Teatrin Kombëtar interpreton vazhdimisht role protagoniste, si në dramat “Unë dhe Mefistofeli” (Margarita) të B. Hoxhës, “Dhelpra dhe rrushtë” (Klea) të Figueiredos, “Dasëm gjaku” (Nusja) të Lorkës, “Rikardi III” (Ledi Ana) të Shekspirit, “Kati VI” të Alfred Zheri, “Këngëtarja tullace” (Misis Martin) të Ioneskos dhe komeditë “Valsi i Titanikut” (Xhena) e “Oportunesku” të Mushateskut, “Kopshti me dallëndyshe” (Maria) të Cikliropulosit, “Armiku i popullit” (Pietra) të Ibsenit, “Pulëbardha” (Nina) të A,P,Çehovit, “Cilindri” (Rita) të De Filipos, regjisor Kastriot Çipi dhe “Kapitulli i dytë” (Xheni) të Sajmonit, regjisor Mehmet Xhelili me të cilin fiton çmimin për Aktoren më të mirë të Festivalit të Aktrimit, Apollon 2004, në Fier.