Delvinë, i dënuar me burg për goditjen e arbitrit, arrestohet Angjelo Hamiti

Policia e Sarandës ka vënë pas hekurave Angjelo Hamitin, 31 vjeçarin që dhunoi arbitrin në ndeshjen e Kategorisë së Dytë mes Delvinës dhe Albpetrolit. Dueli u zhvillua në 19 dhjetor 2020, teksa tifozi hyri në fushë duke dhunuar arbitrin Elis Pulaj.

Ky i fundit bëri denoncimin e nevojshëm në polici, me Gjykatën që e ka dënuar Hamitin me 10 muaj burg. Tanimë 31 vjeçari do duhet të vuajë pasojat e veprimit të tij.

“Policia njofton se specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Delvinë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim Angjelo Hamiti, 31 vjeç, banues në Delvinë.

Arrestimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë e ka dënuar me 10 muaj burgim, për veprat penale ”Goditja e arbitrit të ndeshjes” dhe “Shkaktimi i ndërprerjes së ndeshjes”.

Ky shtetas, më datë 19.12.2020, gjatë zhvillimit të një ndeshjeje, ka hyrë në fushën e lojës dhe ka goditur me sende të forta arbitrin e ndeshjes, shtetasin Elis Pulaj duke shkaktuar kështu ndërprerjen e ndeshjes”, njofton policia.