Turistët francezë, interes për resurset kulturore të Finiqit

uristët francez kanë treguar interes të veçantë për resurset natyrore e kulturore  të Leshincës së Sipërme e të Poshtme në Bashkinë e Finqit në jugperëndim të vendit me 58 fshatra.

Bashkia Sarandë bën të ditur se, vetëm gjatë vitit 2021, grupe turistësh kryesisht nga Franca i janë drejtuar këtyre fshatrave të thella të Finiqit për të shijuar bukuritë e një natyre pothuaj të virgjër, po edhe disa monumente kulturore e historike të veçanta siç janë kishat dhe manastiret e zonës siç janë kisha e Shën Gjergjit, dhe Kisha e Thanasit së bashku me Manastirin me të njëjtin emër.

Thoma Nikuli, drejtori i identitetit etnik, arsimit, kulturës dhe turizmit, në Bashkinë Finiq tha për ATSH-në, se Leshnica e Sipërme faktikisht është shndërruar në një destinacion turistik vitet e fundit, falë promovimit dhe futjes së kësaj zone në paketat turistike.

Nikuli tha se në Leshnicën e Sipërme, banorët e zonës të kthyer nga emigracioni po investojnë në ngritjen e bujtinave dhe qendrave akomoduese ku shërbehen ushqime bio të zonës malore.

Për Leshnicën së fundi, ka shkruar edhe gazeta prestigjioze franceze “Le Monde”, e cila ka përcjellë impresionet që ndjen njeriu i rrethuar nga natyra malore shqiptare dhe mikpritja prekëse  e vendasve siç janë banorët e minoritetit grek në këtë zonë.

Në territorin e Bashkisë Finiq, sot janë ruajtur nga kohërat antike tempuj, statuja, varre, afreske, fortesa, ujësjellësa, banja publike, etj. Modele të kulturës bizantine në këto anë janë edhe kishat, manastiret, afresket dhe mozaikët, që tërheqin vazhdimisht turistë vendas dhe të huaj.