Rrjedhje informacioni nga policia Sarandë? Biznesmeni Pando Popuçi largohet duke i “shpëtuar” arrestimit

Romina Pulaj, kryeinspektore e Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Sarandë, është arrestuar nga Policia në kushtet e flagrancës.

Urdhër-arresti për të është prerë nga Prokuroria e qytetit, pasi Pulaj akuzohet se ka lejuar ndërtimin e një pallati 7 katësh pa leje në Sarandë.

Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë së Sarandës është shpallur në kërkim dhe biznesmeni ndërtues Pando Papuçi, pasi akuzohet se ka ndërtuar objekt pa leje në qytetin bregdetar.

Burime bejne me dije se biznesmeni është larguar duke ju fshehur Policisë dhe rrjedhimisht arrestimit.

Me urdhër të Prokurorisë së Sarandës është urdhëruar dhe sekuestrimi i pallatit 7 katësh që po ndërtohej nga Pando Papuçi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, pas një pune hetimore 3-mujore, kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndertimeve në qytetin e Sarandës dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “HESHTJA”,  në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestuan në flagrancë shtetasja:

-Romina Pulaj, 31 vjeçe, me detyrë kryeinspektore e Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Sarandë.

-Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Pando Papuçi, 66 vjeç, pasi ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme një pallat 7-katesh (në ndërtim e sipër), në lagjen nr.1, në qytetin e Sarandës.

Materialet i kaluan për  veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe  “Ndërtimi i paligjshëm”.