Monumentet tona pro-Hebrenjëve: Nga sinagoga te “Varri i Çifutit” në Fterrë
Nga Thoma Nika
Bashkëjetesa, ka qenë dhe mbetet tipar i qenësishëm për Sarandën. Ajo na vjen si mesazh dhe si produkt nga thellesia e shekujve.
Sepse monumenti ynë i bashkëjetesës së hershme të faktorit izraelit në Sarandë, është sinagoga ebraike, e vendosur në të njëjtin vend ku ishte edhe bazilika kristiane.
16 shekuj më parë dhe me historinë e shekullit të fundit, kur populli shqiptar dha ndihmën e tij për mbijetesën e kombit izraelit përballë holokaustit, hebrejtë janë ndjerë të sigurt këtu.
Në Ditën e Holokaustit edhe sarandiotët sjellin në kujtesë e në vëmendje përjetime, histori dhe detaje nga kohët kur njerëzit e këtyre anëve u bënë strehë e sigurt për ebrejtë, kur ata përndiqeshin në vitet e luftës së dytë botërore. Shqiptarët, e mes tyre edhe banorë të Sarandës, simpatinë për faktorin ebre e kanë treguar në mënyrën më të madhërishme, duke i strehuar mjaft familje, me origjinë çifute, kur ata përndiqeshin.
Ne kemi në rajonin tonë fshatra të tërë, në thellësi të territorit tonë, si Fterra etj., që u bënë strehë e sigurtë e individëve dhe familjeve çifute, që gjetën tek ne paqen, qetësinë dhe sigurinë e jetës, kur qenë të kërëcënuar për t’u zhdukur.
Realisht shqiptarët u bënë shpëtues të jetës së hebrenjve duke rrezikuar jetën e tyre. Këtë e tregojnë edhe mjaft toponime në fshatin Fterrë e gjetiu, por edhe trashëgimi i emrave origjinalë me origjinë hebre.
Kështu, atje ka njerez me emër Galile e David, apo mbiemri Avreci, që do të thotë ebre, mbiemri Lona, sikundër gjen apo toponimin “Varri i çifutit” etj. Të gjitha janë stacione sugjestionuese të kësaj vepre shqiptare.