“Kalo në Butrintin tonë”, Margariti: Programi i rrugëve kulturore pozicionon Shqipërinë në turizmin kulturor

Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin për marrëveshjen midis Këshillit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë për rrugët kulturore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë, se “ky është një tjetër hap i rëndësishëm për të pozicionuar denjësisht Shqipërinë, jo vetëm në rrugën e integrimit evropian, por mbi të gjitha si një përfaqësuese e denjë e të gjithë pjesës së trashëgimisë kulturore në Evropën e madhe”.

“E kemi krijuar këtë urë bashkëpunimi me Komisionin Evropian në fakt në bazë të shumë marrëveshjeve dhe programeve të rëndësishme, siç është edhe ai i “EU4Culture”, tha Margariti.

Ministrja u shpreh se, ky program i rrugëve kulturore, “vjen si një program për të nxitur akoma më tepër, jo vetëm njohjen midis njërit-tjetrit, midis vendeve fqinjë, por mbi të gjitha edhe për të pozicionuar Shqipërinë akoma dhe në mënyrë më solide në turizmin kulturor”.

“Rrugët e kulturës janë rrugë të cilat lidhen me rrugëtimin e Enea-s. Mjafton këtu të shohim në ditët e fundit dhe vetë KE e ka promovuar dhe njohur rrugëtimin, “Kalo në Butrintin tonë”. Ashtu siç është rrugëtimi i fenikasve ose Atrium, i cili ka pasur edhe një mbështetje në Shqipëri në vitet e mëparshme, lidhet me arkitekturën si pjesë e trashëgimisë”, u shpreh Margariti.

Ministrja u shpreh se këto “janë rrugëtime që flasin për arkitekturën, që flasin për brigjet, e lidhur ngushtësisht me peizazhin kulturor. Edhe kjo një tjetër aspekt ndoshta disi i munguar në politikat e ministrisë ndër vite, sepse është edhe ajo pjesë e trashëgimisë kulturore”, shtoi Margariti.

“Duam gjithmonë e më tepër, nëpërmjet këtyre iniciativave, jo vetëm të pozicionojmë Shqipërinë, në hartën e madhe të iniciativave evropiane, jo vetëm t’i japim zë, t’i japim një imazh të mirë nëpërmjet artit dhe kulturës, por patjetër të mund të thithim si fonde nëpërmjet projekteve evropiane. Por mbi të gjitha duke thithur gjithmonë e më tepër turistë me fokusin kryesor në turizmin kulturor”, tha Margariti.

Kjo, theksoi Margariti, “është pjesë e një mozaiku më të gjerë nismash, nuk është një nisëm e veçuar. Mjafton të shikojmë në ditët e fundit, të gjithë qasjen pozitive që ka pasur mbështetja nëpërmjet reality-show holandez, i cili u zhvillua i gjithi në sitet kryesisht të turizmit kulturor në Shqipëri. Presim të ketë impaktin e vet në shifrat e rritura të turizmit kulturor, paçka të gjithë atyre ngushtësive që krijon pandemia”.