Harta e re Gjyqësore: Gjykata e Sarandës mund t’i shpëtojë zhbërjes
Gjykata e Sarandës mund të shpëtojë pa u shkrirë. Kjo pasi janë dhënë sinjale se harta e re gjyqësore mund të rishihet.
Kryetarja e KLGJ(Këshillit të Lartë Gjyqësor), Nauerda Llagami, tha se po merren në konsideratë të gjitha kontestimet.
“Është një proces që impakton shumë gjykata. Këshilli është i ndjeshëm ndaj deklaratave të bërë në këto takime nga grupet e interesit, kundërshtimet që na janë parashtruar”, tha ajo pas një takimi konsultativ në Korçë.
“Sot u vura në dijeni që dhoma e avokatisë ka shkuar në një propozim konkret për KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Unë e mirëpres këtë propozim. Ne mund ta shohim produktin në një këndvështrim tjetër. Ne mund të rishohim propozimet”, theksoi ajo.
Harta e re Gjyqësore, e cila shkrin dhe Gjykatën e Sarandës, duke e transferuar atë në Gjirokastër, është kundërshtuar fort. Arsyetimet kanë qenë të aspekteve të shërbimit gjyqësor, por sidomos të natyrës së impaktit social.