Greqia heq testet në kufi, nga e hëna kalohet me certifikatë vaksinimi
Qeveria greke ka vendosur që të heqë detyrimin e testit anti covid për të gjithë qytetarët të cilët kanë një certifikatë vaksinimi nga një vend europian.
Lajmi u bë u ditur prej vetë ministrit grek të shëndetësisë Thanos Plevris,i cili deklaroi se ky vendim hyn në fuqi në datën 07 shkurt.
Sipas zotit Plevris,tashmë kurba e infeksioneve covid ka filluar të bjerë dhe vala e mutacionit Omicron konsiderohet si e pa rrezikshme, ndaj dhe Greqia po nis përgatitjet për sezonin e ardhshëm turistik që nis në mars,dhe që pritet të jetë ndër më të mirët e viteve të fundit për Greqinë.
Vlen të përmendet që prej këtij vendimi të ministrit grek të shëndetësisë do të përfitojnë edhe shtetasit shqiptarë,të cilët aktualisht paguajnë shuma parash për testin PCR dhe rapid test sa herë udhëtojnë drejt Greqisë pavarësisht vërtetimit të vaksinimit, madje autoritet greke bënin një test të dytë konfirmues në momentin e hyrjes në territorin grek në pikën kufitare.
Theksohet se heqja e detyrimit të testit PCR ose rapid test vlen për këdo ka vërtetim vaksinimi për të paktën dy doza të vaksinës, pavarësisht llojit të kësaj vaksine, pra njihen edhe vaksina kineze dhe Sputnik.
Ndonëse priten qarkoret sqaruese për të mësuar detajet e këtij vendimi të ministrit Plevris, deklarata e ministrit grek të shëndetësisë u përshëndet prej dhomës së operatorëve turistikë të Greqisë, të cilët deklaruan se ky vendim do ti japë një hov të madh turizmit vendas,pikërisht në kohën që po firmosen kontratat me tour operatorët e mëdhenj europianë dhe kompanitë e fluturimeve për paketat e mëdha turistike të këtij viti.
Aktualisht numri i personave të vaksinuar në Greqi arrin në 70% të popullsisë,ndërsa sistemi shëndetësor grek po përballon me sukses valën e mutacionit Omicron me një mesatare prej rreth 18000 të infektuar në ditë,por me më pak se 600 persona të intubuar, çka vlerësohet si brenda parametrave jetikë të sistemit shëndetësor të vendit.